Chelsea i shtoi më tej vështirësitë e Crystal Palace, duke e mposhtur 3–1 në Premier League dhe duke zgjatur serinë pa humbje ndaj “Eagles” në 18 përballje radhazi. Ndeshja u vendos kryesisht nga paraqitja e jashtëzakonshme e Estêvãos, i cili ishte protagonisti absolut i suksesit të “Blues”.
Crystal Palace e nisi mirë takimin dhe krijoi rastin e parë me Jean-Philippe Mateta, por Robert Sánchez reagoi saktë. Nga ana tjetër, Chelsea shpërdoroi disa mundësi në pjesën e parë me Enzo Fernández dhe Moisés Caicedo, ndërsa loja mbeti e ekuilibruar për minuta të gjata. Gjithsesi, në minutën e 34-t, një gabim i rëndë i Jaydee Canvot u shfrytëzua nga Estêvão, i cili vodhi topin, shpërtheu në shpejtësi dhe mposhti Dean Henderson për të kaluar Chelsea-n në avantazh.
Në fillimin e pjesës së dytë, Chelsea goditi sërish. Estêvão asistoi për João Pedron, i cili me një veprim individual realizoi golin e dytë. Presioni i vazhdueshëm i miqve solli edhe penalltinë, pas një prekjeje me dorë nga Canvot, të cilën Enzo Fernández e shndërroi me qetësi në gol për 3–0. Situata u përkeqësua edhe më shumë për Palace, pasi Adam Wharton u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë brenda pak minutash.
Në fund, vendasit arritën të shënonin golin e nderit me Chris Richards, por pa ndryshuar fatin e takimit. Chelsea administroi avantazhin dhe u ngjit në vendin e katërt, ndërsa Crystal Palace regjistroi ndeshjen e 11-të radhazi pa fitore, duke thelluar krizën e rezultateve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: