Roma rikthehet te fitorja në transfertë duke mposhtur Lecce-n në javën e 19-të të Serie A, por suksesi në fushë u shoqërua me një episod të pazakontë jashtë saj. Trajneri Gian Piero Gasperini, në mënyrë surprizuese, nuk u shfaq para medieve për intervistën tradicionale pas ndeshjes, duke ngritur menjëherë pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi.
Mungesa e teknikut verdhekuq nuk ishte e lidhur me probleme shëndetësore apo ndonjë situatë emergjente. Nga klubi nuk pati një sqarim zyrtar, por sipas burimeve pranë ‘Sky Sport’, vendimi i Gasperinit për të mos folur lidhet me një klimë tensioni rreth merkatos së transferimeve. Trajneri ka preferuar të shmangë pyetjet që lidhen me lëvizjet e mundshme të skuadrës në këtë fazë delikate të sezonit.
Ndërkohë, fitorja ndaj Lecce-s ka lënë edhe një shqetësim në kampin romanist. Artem Dovbyk, autor i golit të dytë dhe i futur në lojë në vend të Ferguson, u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 86-të për shkak të një problemi në aduktor. Sulmuesi ukrainas do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në orët në vijim, të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohëzgjatjen e mungesës së tij.
Roma tani pret zhvillime të rëndësishme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë të merkatos, ndërsa heshtja e Gasperinit duket se flet më shumë sesa çdo deklaratë publike.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: