Braziliani Alex Felipe, ish-lojtar i Sporting CP, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në aeroportin e Ukhtas, pasi skuadra e tij aktuale, Norilsk Nickel, kishte përfunduar ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Rusisë. Lajmi u konfirmua nga Federata Ruse e Futsallit (RFU), e cila njoftoi se 32-vjeçari u ndie keq menjëherë pas ndeshjes dhe humbi ndjenjat në aeroport, teksa ekipi përgatitej të udhëtonte drejt Moskës.
Alex Felipe u ndihmua menjëherë nga stafi mjekësor dhe u përdor defibrilatori, por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme dhe vdekja u deklarua në vendngjarje.
Nga viti 2020, Alex luante për Norilsk Nickel, ndërsa më parë kishte luajtur për Sportingun në dy sezonet 2018/2019 dhe 2019/2020, ku u shpall kampion evropian dhe fitoi një Superkupë dhe dy Kupa të Portugalisë. Gjatë periudhës me Sportingun, ai zhvilloi 67 ndeshje dhe shënoi 35 gola. Përpara kishte luajtur në Brazil me Corinthiansin dhe Joinville dhe në Spanjë me Inter Movistar. Alex Felipe la pas gruan dhe dy fëmijët e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: