Juventusi po shqyrton seriozisht mundësinë për të paraqitur një ofertë për Aro Muricin, portier i Ipsëich Toën, i cili këtë sezon po luan në formë huazimi te Sassuolo. Sipas raportimeve nga ‘TuttoSport’, 27-vjeçari është futur në listën e ngushtë të përforcimeve të bardhezinjve, të cilët po mendojnë për ndryshime në repartin e portës.
Muric, pas një sezoni të vështirë 2024–2025 me Ipsëich-in, ka rilindur në Serie A. Me fanellën e Sassuolos, portieri i Kombëtares së Kosovës ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha italiane. Në 17 paraqitje në elitën e futbollit italian, ai ka pësuar vetëm 20 gola dhe ka mbajtur katër herë portën e paprekur, statistika që kanë ndihmuar Sassuolon të stabilizohet në mesin e tabelës.
Interesi i Juventusit lidhet edhe me formën jo bindëse të Michele Di Gregorios, i cili nuk e ka bindur plotësisht trajnerin Luciano Spalletti. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po monitorojnë nga afër alternativat dhe Muric shihet si një profil i përshtatshëm, me eksperiencë dhe potencial për rritje të mëtejshme.
Trajneri Spalletti do të ketë mundësinë ta shohë nga afër Muricin të martën në mbrëmje, kur Juventusi do të përballet me Sassuolon në javën e 19-të të Serie A. Një paraqitje bindëse mund të shërbejë si një “provë” vendimtare për portierin kosovar.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e Muricit është rreth 7.5 milionë euro, ndërsa Sassuolo ka një opsion blerjeje prej 10 milionë eurosh në fund të sezonit. Nëse Juventusi do të intensifikojë interesin, vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: