Como vazhdon sezonin e jashtëzakonshëm dhe merr një fitore të pastër 3-0 në transfertë ndaj Pisa-s, në ndeshjen hapëse të javës së 19-të të Serie A. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas siguron tri pikë shumë të rëndësishme në “Arena Garibaldi” dhe ngjitet në vendin e katërt të renditjes, duke u futur plotësisht në garën për një vend në Champions League.
Pjesa e parë dhe një pjesë e mirë e fraksionit të dytë u karakterizuan nga ekuilibri dhe rezistenca e vendasve. Pisa arriti të mbante rezultatin e barabartë për 68 minuta, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke kërkuar të godiste në kundërsulm. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në minutën e 68-të, kur Perrone realizoi një gol të bukur me të majtën nga jashtë zone, duke zhbllokuar sfidën për Comon.
Pas avantazhit, miqtë përfituan nga hapësirat e lëna nga Pisa dhe në minutën e 76-të Douvikas shënoi golin e dytë në kundërsulm, pas asistit të Rodriguez, duke e vënë ndeshjen në binarë shumë të favorshëm për skuadrën e tij.
Pisa pati mundësinë të rihapte takimin, por Nzola gaboi rëndë nga pika e bardhë, pasi Butez qëndroi në qendër dhe e ndali gjuajtjen. Në minutat shtesë, ishte sërish Douvikas ai që vulosi përfundimisht fitoren, duke realizuar ‘dopietën’ personale me penallti në minutën e 96-të.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: