Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, u shpreh i kënaqur me barazimin ndaj Flamurtarit, një rezultat që sipas tij i përgjigjej mënyrës si u zhvillua ndeshja. Edhe pse bardheblutë mbeten në fund të tabelës, Nuhiu theksoi se skuadra po jep shenja të rëndësishme ringritjeje.
Ai vlerësoi veçanërisht reagimin e lojtarëve dhe energjinë që sollën në fushë. “Kjo pikë na ndihmon. Sot pashë një grup që kishte dëshirë dhe luftoi deri në fund. Ishte e rëndësishme të mos humbnim,” tha ai, duke nënvizuar se në pjesën e dytë Tirana ishte më e pranishme në lojë dhe krijoi më shumë volum.
Nuhiu pranoi se ende ka gjëra për t’u përmirësuar, por beson se ekipi po ecën në drejtimin e duhur. Ai kërkon nga lojtarët karakter, vrapim dhe vendosmëri, sidomos në një moment delikat si ky. Mes tyre, Dembele u largua me një shqetësim gjatë pushimit, por trajneri theksoi se secili futbollist është i rëndësishëm dhe se do të mbështetet te “luftëtarët” që i përgjigjen me intensitet.
Për bllokimin e mundshëm të merkatos së janarit, Nuhiu u tregua i rezervuar. “Nuk kam lexuar asgjë për këtë lajm. Aktualisht jemi të përqendruar te grupi që kemi dhe do të marrim maksimumin prej tyre,” u shpreh ai. Trajneri pranoi se merkatoja e dimrit është e varfër, ndaj fokusi kryesor mbetet forcimi i asaj që skuadra posedon tashmë.
Në fund, Nuhiu deklaroi se beson te cilësitë e lojtarëve të tij dhe është i bindur se Tirana do të gjejë rrugën e duhur me këtë qasje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: