Thomas Müller ka hequr çdo dyshim mbi të ardhmen e tij dhe ka vendosur të vazhdojë eksperiencën në MLS edhe për sezonin e ardhshëm. Në një intervistë për “Kicker”, legjenda gjermane deklaroi hapur se do të mbetet pjesë e Vancouver Whitecaps:
“Po, do të luaj ende këtu,” u shpreh ai, duke mbyllur çdo spekulim.
Të dielën, 36-vjeçari do të sfidojë Los Angeles FC në çerekfinalet e play-off-it,një përballje që ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm.
“Stadiumi do të jetë plot me 55 mijë tifozë. Biletat janë shitur me kohë, një gjë fantastike për një vend si Kanadaja, ku hokeji mbretëron,” tha Müller.
Edhe pse numëron plot 35 tituj në karrierë, më shumë se çdo futbollist gjerman, triumfi në Amerikën e Veriut do të kishte një peshë të veçantë për ikonën e Bayern Munich.
“Në situatën ku jam sot, do të kishte shumë rëndësi. Do të ishte dhurata ime,” tha ai.
Müller pranon se sfida e tij e re e ka motivuar jashtëzakonisht:
“Jam transferuar në një ligë të re dhe në një vend të ri. Të fitosh që në vitin e parë do të ishte e jashtëzakonshme.”
Me 8 gola dhe 3 asiste në 9 ndeshje, ai ka bërë një nisje mbresëlënëse me Vancouverin. Për më tepër, ambienti i qetë kanadez duket se i ka bërë shumë mirë:
“Jam shumë i kënaqur dhe po e shijoj çdo ditë. Sigurisht, është shumë më i relaksuar se sa në Mynih apo në Gjermani në përgjithësi,” përfundoi ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: