Një derbi i bardhë, rrezik reshjesh dëbore gjatë Inter–Milan, hera e fundit në vitin 2013

Një derbi i bardhë, rrezik reshjesh dëbore gjatë Inter–Milan, hera e fundit në vitin 2013

08:33, 20/11/2025

Derbi i Madoninës i së dielës së 23 nëntorit, i cili do të zhvillohet në orën 20:45, në “San Siro”, mund të ketë këtë herë një skenografi të pazakontë. Sipas parashikimeve më të fundit meteorologjike, stadiumi legjendar i Milanos mund të jetë i mbuluar nga dëbora gjatë ndeshjes mes Interit dhe Milanit të drejtuar nga Massimiliano Allegri.

Teksa temperatura në fushën e lojës pritet të jetë e lartë për shkak të intensitetit të derbit, në tribuna situata mund të jetë krejt ndryshe. Meteorologët paralajmërojnë se të dielën, pas orës 19:00, mbi qytet mund të nisin reshje dëbore, si pasojë e rënies së menjëhershme të temperaturave që është ndier gjatë ditëve të fundit në Milano dhe rrethinë. Kjo e bën plotësisht të mundur skenarin e një derbi të vërtetë “të bardhë”.

Një zhvillim i tillë sjell ndër mend derbin e 24 shkurtit 2013, kur reshjet e dendura të dëborës shoqëruan qytetin gjatë gjithë javës dhe deri në mëngjesin e ndeshjes. Megjithatë, atëherë bora u ndal vetëm pak orë para fillimit të takimit. Ndeshja përfundoi 1-1: Stephan El Shaarawy shënoi për kuqezinjtë, ndërsa Ezequiel Schelotto barazoi për zikaltrit.

Ndërkohë, tek Interi mbetet në dyshim gjendja fizike e Denzel Dumfries, i cili po vazhdon të ketë shqetësime në kyçin e këmbës. Nëse ai nuk do të jetë gati, Carlos Augusto pritet të jetë alternativa kryesore.

Nëse parashikimet konfirmohen, tifozët mund të jenë dëshmitarë të një derbi që do të mbahet mend jo vetëm për emocionet në fushë, por edhe për sfondin e tij të mbuluar nga dëbora, një atmosferë që i jep edhe më shumë magji njërit ndër takimet më të zjarrta të futbollit italian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco