Portieri brazilian, Ederson, ka folur me emocione për periudhën e tij tetëvjeçare te Manchester City dhe për marrëdhënien e veçantë me Pep Guardiolën, njeriu që e solli në klub në vitin 2017.
“Kur e telefonova përpara se të largohesha, më tha se duhet të kthehesha për t’u përshëndetur. Madje më dërgoi edhe një mesazh dje, duke më kujtuar sa ndeshje kam fituar në karrierë. E dua Pepin, e dua mënyrën si mendon. Për mua, ai është trajneri më i mirë i të gjitha kohërave. Ishte kënaqësi të punoja me të,” tha Ederson në një intervistë për Sky Sports.
Gjatë kohës së tij te Manchester City, portieri 32-vjeçar fitoi plot 18 trofe, përfshirë disa tituj të Premier League-s, ndërsa tri herë radhazi u shpall fitues i ‘Golden Glove’, çmim për portierin me më shumë ndeshje pa pësuar gol.
Ederson u shqua jo vetëm për pritjet e tij, por edhe për aftësitë e jashtëzakonshme në ndërtimin e lojës nga prapavija, duke regjistruar shtatë asistime, një arritje e rrallë për një portier.
“Pep më ka ndihmuar të rritem si lojtar dhe si njeri. Ai e ndryshoi mënyrën si e shoh futbollin. Falë tij, kam mësuar se çdo detaj ka rëndësi,” përfundoi braziliani, duke treguar respektin e thellë për Guardiolën dhe ndikimin e tij në sukseset e City-t.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: