Italia e Gennaro Gattusos është grumbulluar në Coverciano për të përgatitur dy ndeshjet e fundit të grupit eliminator të Kupës së Botës 2026 kundër Moldavisë (13 nëntor, në Chisinau) dhe Norvegjisë (16 nëntor, në Milano).
Trajneri i Italisë ishte i prerë në konferencë për shtyp: “Nuk do të jetë një shëtitje, nuk jemi këtu për 7-8 ditë për të bërë shëtitje. Dua të shoh përkushtim maksimal, janë ndeshje zyrtare dhe ne veshim fanellën e kaltër.”
Gattuso theksoi se sfida me Moldavinë është më e rëndësishme se ajo me Norvegjinë, duke sqaruar: “Për mua është më e rëndësishme ndeshja e parë, sepse e dyta përgatitet vetë. Norvegjia është në formë të shkëlqyer dhe mund të të vërë në vështirësi, por ajo ndeshje vjen vetë. Ajo që kërkon vëmendje është ajo me Moldavinë.”
Sa i përket formacionit, ai zbuloi se do të ndryshojë shumë lojtarë: “Në ndeshjen e parë do të luajnë ata që kanë pasur më pak hapësirë, pastaj në të dytën do të ndryshojmë diçka tjetër. Kur një skuadër arrin të luajë me më shumë se një modul, është më mirë.”
Në lidhje me mungesat, trajneri konfirmoi rastin e Federico Chiesa-s: “Unë flas shpesh me të dhe duhet të respektojmë zgjedhjet dhe problemet që secili ka. Ai mungon për zgjedhje personale. E di mirë çfarë kemi thënë mes nesh, e respektoj plotësisht.” Po ashtu, foli edhe për Berardin: “Është si të tjerët, askush nuk vë në dyshim cilësitë e tij. E ndjek dhe e di çfarë mund të japë, por më pas bëj zgjedhjet e mia.”
Gattuso sqaroi se Moise Kean nuk do të jetë i disponueshëm për shkak dëmtimi: “Nuk duhej të luante në Kupë, por e futën dhe mori një goditje atje ku kishte shqetësim. Më vjen keq, por kemi sulmues të fortë që na kanë ndihmuar shumë.”
Për rolet në mesfushë, Gattuso tha: “Locatelli është regjisor, Ricci po ashtu dhe mund të luajë edhe si ‘mezzala’. Tonali? E kam thënë, nuk mund të humbasim një lojtar si ai.”
Mbi Scamacca-n, ai deklaroi: “Nuk duhet të më provojë asgjë. E di si më pëlqen të shoh stërvitjet, e di çfarë dua. Nëse është këtu, është sepse besoj fort te ai.”
Në fund, trajneri foli për gjendjen e futbollit italian: “Në Premier luajnë një tjetër sport, për shkak të parave dhe nivelit. Por në Itali kemi trajnerë të jashtëzakonshëm. Vështirësia është te mungesa e lojtarëve vendimtarë. Raspadori dhe Esposito janë shumë të fortë, por fakti që luajnë kaq pak më bën të ndihem keq.”
Gattuso përfundoi me frymën e tij karakteristike: “Ne duhet të japim gjithçka për fanellën. Nuk kemi ardhur për të bërë shëtitje, por për të treguar që Italia është gati për të luftuar.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: