Dinamo mori një fitore të rëndësishme në “Arenën e Demave”, duke mposhtur Vorën me rezultatin 2-0, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. Pas takimit, trajneri Ilir Daja u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke vlerësuar ekuilibrin dhe përkushtimin e lojtarëve në të dyja fazat e lojës.
“Sot kemi qenë gjithë kohës në ekuilibër,” – tha Daja pas ndeshjes. – “Lojtarët që u futën nga stoli bënë shumë mirë. Në momentet kur po binte ritmi i lojës, ata na sollën freski dhe energji. Në fakt, krahët funksionuan shumë mirë sot. Ne shfrytëzuam rastet ndaj kundërshtarit dhe në krahun e majtë bëmë një paraqitje shumë të mirë.”
Trajneri i Dinamos foli edhe për disa zgjedhje taktike, si dhe për performancën e disa prej lojtarëve që po konfirmohen si pika të forta të skuadrës.
“Qardaku është një zbulim në atë pozicion,” – u shpreh Daja. – “Kemi pasur probleme në atë zonë të fushës dhe tashmë e kemi provuar atje, po bën shumë mirë. Është një spostim i imi në atë krah dhe për sulmuesit është më e lehtë të veprojnë në zona të ngushta.”
Më tej, Daja foli për afrimin nga Kosova dhe për rivalitetin e brendshëm në skuadër:
“Neziri është marrë nga kampionati i Kosovës. Është një futbollist krahu dhe sot ka bërë shumë mirë. Jam i bindur se, duke marrë kohën e duhur, do të bëjë akoma më mirë.
Sa për Meksin, ai ka luajtur gjithë kampionatin e vjetshëm. Tani Maliqi po bën shumë mirë dhe ne kemi përparësi kush është në formë më të mirë. Aktualisht, Maliqi po kalon një moment më të mirë se Meksi.”
Në fund, tekniku i “Nëndetëses blu” nuk harroi të dërgojë edhe një mesazh ndjesor:
“Fitoren e sotme ia dedikojmë Dejvi Bregut dhe Berishës. Këtë trepikësh e kemi për ta,” – përfundoi Daja.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: