Eliminimi i parakohshëm i Tunizisë nga Botërori 2026 ka sjellë reagime të forta brenda kampit të skuadrës afrikane. Pas humbjes së rëndë 4-0 ndaj Japonisë, mbrojtësi Ali Abdi kritikoi hapur ish-trajnerin Sabri Lamouchi dhe drejtuesit e federatës, duke i konsideruar ata përgjegjës për paraqitjen zhgënjyese të skuadrës.
Tunizia i dha lamtumirën turneut pas dy humbjeve radhazi. Fillimisht u mposht 5-1 nga Suedia, ndërsa më pas pësoi një tjetër disfatë të thellë ndaj Japonisë. Kështu, afrikanët u bënë një nga kombëtaret e para që u eliminuan nga Botërori, së bashku me Haitin dhe Turqinë.
Kriza në kampin tunizian shpërtheu menjëherë pas ndeshjes së parë, kur federata vendosi të shkarkonte trajnerin Sabri Lamouchi, i cili kishte marrë drejtimin e ekipit vetëm në janar të vitit 2026. Në vend të tij u emërua tekniku francez, Hervé Renard.
Në një intervistë për BeIN Sports, Ali Abdi nuk i kurseu kritikat ndaj mënyrës se si ishte ndërtuar skuadra për këtë Botëror.
“Shkuam në Kupën e Botës me një trajner të ri dhe me lojtarë të rinj që nuk kishin luajtur kurrë bashkë më parë, në vend që të mbështeteshim te futbollistët me përvojë. Ndërkohë, Japonia ruajti të njëjtin grup lojtarësh që kishte marrë pjesë edhe në Botërorin e vitit 2022”, deklaroi mbrojtësi i OGC Nice.
I prekur emocionalisht pas eliminimit, Abdi kërkoi falje para tifozëve tunizianë dhe kritikoi edhe drejtimin e federatës.
“Më vjen keq për tifozët tanë. Nuk kërkoj falje për njerëzit që përhapin informacione të pavërteta. Ne nuk kemi kohë për të punuar, sepse çdo herë shkatërrojmë gjithçka dhe nisim nga e para, në vend që të korrigjojmë gabimet”, tha ai mes lotësh.
Nga ana tjetër, Renard pranoi se emërimi i tij erdhi papritur.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt pas shkarkimit të Lamouchi. Nuk pata shumë kohë për të menduar”, deklaroi trajneri francez, duke premtuar se skuadra do të luftojë deri në fund në ndeshjen e mbetur të turneut.
© SYRI.net