Brazili ka marrë një lajm shumë të mirë në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Skocisë në Grupin C të Botërorit 2026. Ylli i Seleçaos, Neymar, është rikthyer më në fund në stërvitje të plotë me grupin dhe po afrohet me rikthimin në fushë pas dëmtimit që e mbajti larg dy ndeshjeve të para të turneut.
Sulmuesi 34-vjeçar i Santosit nuk ka luajtur ende në këtë Botëror, por gjatë ditës së sotme zhvilloi seancën e tij të parë të plotë me pjesën tjetër të skuadrës. Kjo rrit ndjeshëm shanset që ai të jetë i gatshëm për sfidën kundër Skocisë, e cila do të luhet në raundin e tretë dhe të fundit të fazës së grupeve.
Neymar mungoi edhe në përballjen ndaj Haitit, të fituar nga Brazili me rezultatin 3-0, ndërsa ditët e fundit kishte punuar veçmas për të rikuperuar formën fizike. Trajneri Carlo Ancelotti kishte bërë të ditur më herët se lojtari do të ishte i gatshëm sapo të linte pas dëmtimin në pulpë, problem që e mbajti larg stërvitjeve për rreth një muaj.
Pesë herë kampionët e botës kryesojnë Grupin C me katër pikë, po aq sa Maroku. Përballja e ardhshme me Skocinë në Miami do të vendosë edhe skuadrën që do ta mbyllë grupin në vendin e parë. Skocezët renditen të tretët me tri pikë dhe ende kanë shanse për kualifikim në fazën tjetër.
Megjithatë, jo çdo lajm është pozitiv për brazilianët. Raphinha do të mungojë në ndeshjen ndaj Skocisë për shkak të një dëmtimi muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, të pësuar në takimin me Haitin. Sipas raportimeve të fundit, sulmuesi i Barcelonës pritet të rikthehet në dispozicion pas rreth dy ndeshjeve.
© SYRI.net