Detajet e dëmtimit të LeBron James u shitën nga miku i tij dhe ish-trajneri i Los Angeles Lakers, Damon Jones, si pjesë e një skeme të madhe bastesh, sipas dokumenteve gjyqësore dhe burimeve të forcave të rendit.
Jones, ish-lojtar i Cleveland Cavaliers dhe “asistent trajner jozyrtar” i Lakers gjatë sezonit 2022–2023, i dërgoi një mesazh njërit prej anëtarëve të rrjetit të basteve me 9 shkurt 2023, duke e nxitur të vendoste një bast të madh kundër Lakers, për Milwaukee Bucks, sepse James nuk do të luante atë natë për shkak dëmtimi.
“Vër një bast të madh për Milwaukee sonte, para se të dalë informacioni!”, i shkroi Jones në mesazh, sipas aktakuzës.
Lojtari, i identifikuar nga burimet si James, nuk luajti pasi raportoi një dëmtim në pjesën e poshtme të trupit, dhe Lakers humbën ndeshjen.
Jones është mik i vjetër i James, ata kanë luajtur bashkë në Cavaliers më herët në karrierën e James-it.
Jones gjithashtu mori 2500 dollarë për një “informacion” tjetër rreth një dëmtimi të supozuar, që më vonë rezultoi i rremë, për një tjetër yll të Lakers para ndeshjes së 15 janarit 2024 kundër Oklahoma City Thunder.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Jones pretendoi se kishte mësuar nga trajneri i Lakers se “njëri nga lojtarët më të mirë të Lakers gjatë sezonit 2023–2024” ishte i dëmtuar dhe do të luante vetëm disa minuta atë natë.
Jones ia tha këtë të bashkëpandehurit Eric “Spook” Earnest, i cili ndau informacionin me Marves Fairley, që në internet prezantohej si një bastvënës i suksesshëm nën pseudonimin “Vezino Locks”, thuhet në dokumente.
Më pas Fairley vendosi një bast prej 100,000 dollarësh kundër Lakers. Megjithatë, lojtari i përfolur luajti në ndeshje dhe Lakers fituan 112–105.
Lojtarit në fjalë nuk iu bë i ditur emri, por atë mbrëmje Lakers fitoi nën udhëheqjen Anthony Davis, që shënoi 27 pikë.
Pas ndeshjes, një Fairley i irrituar kërkoi që Jones t’i kthente 2500 dollarët, por Jones këmbënguli se kishte marrë “informacion të besueshëm dhe jo publik” për lojtarin e paidentifikuar atë ditë. Nuk është e qartë nëse Jones i ktheu paratë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: