Ndeshja Lille–PSG, e vlefshme për javën e shtatë të Ligue 1, u shndërrua në një skenë emocionuese familjare. Në një sfidë të lodhur pas angazhimeve europiane dhe me shumë mungesa, shkëlqimi erdhi në minutat e fundit nga Ethan Mbappé, i cili me një goditje të bukur me të majtën tronditi kampionët në fuqi dhe ndezi stadiumin “Pierre-Mauroy”.
Goli i 18-vjeçarit, ish-lojtar i akademisë së PSG-së ku kaloi shtatë vite formimi, u shoqërua nga një mesazh domethënës në rrjetet sociale:
“Një histori familjare”, – shkroi ai në “Instagram”.
Në tribunë, reagimi nuk mungoi. Kylian Mbappé, tashmë ish-‘yll’ i PSG-së dhe vëllai i madh i Ethan-it, ndodhej pranë të atit për të ndjekur ndeshjen. Megjithëse i dëmtuar lehtë, ai nuk arriti ta fshihte entuziazmin dhe shpërtheu në festë me duart lart pas golit të vëllait, një skenë që u bë menjëherë virale.
Por ajo që për familjen Mbappé ishte një moment krenarie, për shumë tifozë të PSG-së u pa si mungesë respekti. Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta dhe shpesh të ashpra ndaj Kylianit, të cilin e akuzuan se “gëzohej për dështimin e ish-skuadrës së tij”.
Megjithatë, përtej polemikave, ndeshja mbeti në kujtesë si mbrëmja kur vëllai i vogël ndali kampionët, ndërsa ai i madh festoi nga tribuna — një moment unik i lidhjes familjare Mbappé që preku botën e futbollit francez.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: