Lajmi i fundit

EMRI/ Po hidhte mbeturinat, plagoset me thikë një person në Tiranë

Lampard drejt rinovimit afatgjatë me Coventry-n pas ngjitjes historike në Premier League

Lampard drejt rinovimit afatgjatë me Coventry-n pas ngjitjes historike në Premier League

13:54, 19/06/2026

Trajneri anglez, Frank Lampard, është pranë nënshkrimit të një kontrate të re afatgjatë me Coventry City-n, duke i dhënë klubit një shtysë të rëndësishme përpara rikthimit në Premier League.

Sipas raportimeve nga Anglia, bisedimet mes palëve kanë hyrë në fazën përfundimtare pas sezonit fantastik të Coventry-t, që siguroi titullin në Championship me 95 pikë dhe u rikthye në elitën e futbollit anglez për herë të parë që nga viti 2001.

Lampard mori drejtimin e skuadrës në nëntor të vitit 2024 dhe arriti të transformonte ekipin nga West Midlands, duke e kthyer në një nga historitë më të bukura të sezonit të kaluar. Edhe pse kontrata e tij aktuale ka ende pak më shumë se një vit afat, drejtuesit e klubit kanë vendosur ta blindojnë trajnerin 48-vjeçar me një marrëveshje të re.

Ish-mesfushori i Chelsea-t dhe i kombëtares së Anglisë po punon tashmë së bashku me pronarin Doug King për strategjinë e merkatos verore, ndërsa Coventry synon të investojë ndjeshëm për të qenë konkurrues në Premier League.

Klubi ka nisur gjithashtu lëvizjet në tregun e transferimeve, megjithëse oferta deri në 20 milionë paundë për portierin Carl Rushworth është refuzuar nga Brighton & Hove Albion.

Sezoni i ri do të nisë me një sfidë shumë të vështirë për Coventry-n, që më 21 gusht do të përballet në transfertë me kampionët e Anglisë, Arsenal. Një javë më vonë, skuadra do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi në Premier League pas 25 vitesh, kundër Hull City-t.

Për Lampardin, ky do të jetë rikthimi në elitën e futbollit anglez si trajner pas eksperiencës së tij të fundit te Chelsea në vitin 2023. Pas suksesit me Coventry-n, ai duket i vendosur të vazhdojë projektin që e riktheu klubin në skenën më të madhe të futbollit anglez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco