Achraf Hakimi do të përballet me gjyq për akuzën e përdhunimit, pasi Gjykata e Apelit në Versajë ka rrëzuar kërkesën e tij për të mos u dërguar në proces penal. Vendimi konfirmon se mbrojtësi i Paris Saint-Germain dhe i Marokut do të dalë përpara gjykatës penale të Hauts-de-Seine në muajt e ardhshëm.
Çështja daton që nga viti 2023, kur një e re e njohu futbollistin përmes Instagramit dhe më pas e vizitoi në shtëpinë e tij, ku, sipas denoncimit, ai e ka prekur pa dëshirën e saj dhe më pas e ka përdhunuar. Rasti u bë publik pas denoncimit zyrtar në autoritetet franceze.
Avokatja e palës akuzuese, Rachel-Flore Pardo, e ka mirëpritur vendimin e gjykatës, duke deklaruar se ky hap përbën lehtësim dhe shpresë për klienten e saj pas një procesi të gjatë ligjor. Sipas saj, gjyqi mund të ketë ndikim më të gjerë në luftën kundër dhunës seksuale.
Nga ana tjetër, avokatja e Hakimit, Fanny Colin, ka kritikuar vendimin, duke pretenduar se në proces nuk janë marrë parasysh kontradiktat dhe deklaratat e palës akuzuese, si dhe raportet psikologjike që sipas saj vënë në pikëpyetje versionin e ngjarjes.
Vetë Hakimi ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke thënë se për vite me radhë ka zgjedhur të heshtë dhe të besojë në drejtësi, por, sipas tij, është ndier shpesh “një objektiv i lehtë” për shkak të famës.
“Kam zgjedhur të qëndroj i qetë dhe të pres drejtësinë. Tani pres me padurim gjyqin për të treguar të vërtetën time”, ka shkruar ai.
Futbollisti ndodhet aktualisht i grumbulluar me Marokun në Botërorin 2026, ku pritet të luajë ndeshjen e radhës në grup.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta edhe nga pala akuzuese, e cila e ka konsideruar një hap të rëndësishëm drejt procesit gjyqësor dhe drejt zbardhjes së plotë të çështjes.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: