Mourinho trondit Realin, Vinicius dhe Valverde në listën e largimeve

Mourinho trondit Realin, Vinicius dhe Valverde në listën e largimeve

15:28, 19/06/2026

José Mourinho duket i vendosur të ndërmarrë një revolucion të vërtetë te Real Madridi. Rikthimi i teknikut portugez në stolin e klubit madrilen po shoqërohet me vendime të forta, ndërsa lista e lojtarëve që ai nuk i konsideron pjesë të projektit të tij vazhdon të zgjerohet.

Sipas raportimeve nga mediet spanjolle dhe italiane, pas emrave si Rodrygo Goes, Eduardo Camavinga, Brahim Díaz dhe Álvaro Carreras, në listën e largimeve janë shtuar edhe dy nga figurat më të rëndësishme të skuadrës: Vinícius Júnior dhe Federico Valverde.

Mourinho besohet se i konsideron brazilianin dhe uruguaianin si elementë që kanë ndikuar negativisht në harmoninë e dhomave të zhveshjes gjatë sezonit të kaluar. Raportet flasin për një ambient të tensionuar në skuadër, situatë që sipas tyre kishte krijuar probleme edhe gjatë periudhës së trajnerit Xabi Alonso.

Portugezi dëshiron të rivendosë disiplinën dhe ekuilibrin brenda grupit, madje edhe nëse kjo do të thotë të heqë dorë nga disa prej ‘yjeve’ më të mëdhenj të ekipit. Paralelisht, Mourinho synon të ndryshojë edhe hierarkinë e kapitenëve.

Sipas të njëjtave burime, ai dëshiron që Kylian Mbappé të bëhet kapiteni i ri i Realit, ndërsa zëvendëskapitenë të jenë Antonio Rüdiger dhe Jude Bellingham. Edhe pse Thibaut Courtois nuk pritet të largohet, Mourinho preferon që shiriti i kapitenit të mbahet nga një lojtar i fushës.

Një qasje e tillë kujton periudhën e parë të Mourinhos në Madrid, kur ai mori vendime të forta edhe ndaj figurave historike të klubit. Mesazhi i portugezit duket i qartë: askush nuk është i paprekshëm dhe interesat e skuadrës do të jenë mbi çdo emër individual.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco