Tomas Brolin, jeta e re e ish-‘yllit’ të Parmës që la futbollin në moshën 28-vjeçare për të shitur fshesa elektrike

Tomas Brolin, jeta e re e ish-‘yllit’ të Parmës që la futbollin në moshën 28-vjeçare për të shitur fshesa elektrike

10:36, 06/10/2025

Para epokës së Ronaldos dhe Messit, Tomas Brolin ishte një nga talentet më të ndritura të futbollit europian. Në vitin 1994, ai u rendit i katërti për Topin e Artë, në të njëjtin vit që Hristo Stoichkov i Barcelonës fitoi çmimin prestigjioz.

Në atë kohë, Brolin shkëlqente me fanellën e Parmës në Serinë A, duke ndihmuar klubin italian të fitonte Kupën e Italisë (1992), më pas Kupën e Fituesve të Kupave dhe Superkupën Europiane (1993), si dhe Kupën UEFA (1995). Gjatë pesë viteve të tij në Itali, ai shënoi 30 gola dhe dha 16 asistime, duke u bërë një nga lijtarët simbol të Parmës së “viteve të arta”.

Në arenën ndërkombëtare, Brolin u bë hero kombëtar për Suedinë, pasi shënoi golin e fitores kundër Anglisë në Euro 1992, përpara tifozëve të tij në Stokholm.

Pas sukseseve në Itali, në vitin 1995 ai u transferua te Leeds United në Premier League, por aventura angleze nuk shkoi si pritej. Pas një humbjeje të thellë 5–0 ndaj Liverpool-it, ai pati një përplasje me trajnerin Howard Wilkinson dhe u largua pas vetëm 25 ndeshjesh, duke kaluar më vonë në huazim te Zurich dhe sërish te Parma.

Në vitin 1998, Brolin kaloi për një periudhë të shkurtër te Crystal Palace, përpara se të kthehej në Suedi, ku luajti për Hudiksvalls FF dhe më pas vendosi të varte këpucët në gozhdë.

Megjithatë, ai nuk e humbi kohën. Shpejt u distancua nga dritat e skenës dhe nisi një rrugë të re si sipërmarrës, duke u përfshirë në disa biznese, përfshirë edhe një kompani të suksesshme fshesash elektrike.

Image

Në një intervistë, Brolin kujtoi momentin e vendimit për t’u tërhequr:

“Në fillim ishte argëtuese të shkoja çdo ditë në stërvitje me Crystal Palace, por më pas nuk ndihesha më ashtu. I bëra vetes pyetjen: ‘A do ta bëj përsëri sezonin e ardhshëm?’ Gjatë verës e mendova mirë dhe vendosa të ndalem. Nuk ishte për shkak të dëmtimeve, thjesht më mungonte motivimi. Për të luajtur në nivel të lartë, duhet të stërvitesh çdo ditë, por unë nuk e ndieja më atë entuziazëm.”

“Kisha projekte të tjera në mendje. Kur lashë futbollin, më propozuan një ide të re për një fshesë elektrike dhe unë vendosa ta provoj. Mendova se nëse deri në dhjetor do të më mungonte futbolli, do të kthehesha. Por ajo ndjenjë nuk erdhi kurrë dhe tani kanë kaluar 20 vjet. Të gjithë thonë se 28 vjeç është shumë herët për t’u tërhequr, por kjo varet nga ajo që ke bërë gjatë atyre viteve. Unë kisha bërë mjaft.”

Sot, Tomas Brolin jeton i qetë në Suedi, duke ndarë jetën mes biznesit, familjes dhe pasioneve të tij të reja, i lumtur që gjeti lumturinë përtej fushës së blertë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco