VIDEO/ Real Madridi dominon në ‘Bernabeu’, Vinicius e Mbappé vulosin fitoren ndaj Villarrealit

VIDEO/ Real Madridi dominon në ‘Bernabeu’, Vinicius e Mbappé vulosin fitoren ndaj Villarrealit

22:54, 04/10/2025

Real Madridi ka marrë një tjetër fitore bindëse në “Santiago Bernabeu”, duke mposhtur Villarrealin me shifrat 3-1 dhe duke u ngjitur — të paktën përkohësisht — në krye të La Ligas me 21 pikë, pas shtatë fitoreve dhe një barazimi në tetë javët e para.

Real Madrid - Villarreal 3-1

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por u zhbllokua vetëm në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 47-të, Vinicius Junior mori topin në zonë, dribloi me shpejtësi e elegancë disa mbrojtës dhe gjuajti nga afër; goditja e tij u devijua lehtë dhe kaloi përtej portierit Arnau Tenas, duke u dhënë avantazhin “Los Blancos”.

Në minutën e 68-të, pas një faulli në zonë të Rafa Marín, gjyqtari akordoi penallti për Realin, të cilën e mori përsipër sërish Vinicius. Sulmuesi brazilian goditi me qetësi në cepin e poshtëm të majtë, pavarësisht se Tenas e kapi me dorë, për të dyfishuar rezultatin në 2-0.

Villarreali reagoi menjëherë dhe në minutën e 73-të ngushtoi diferencën me Georges Mikautadze, i cili shfrytëzoi një pasim të bukur nga Pape Gueye dhe goditi saktë në cepin e majtë të portës.

Por gjithçka u mbyll në të 81-ën, kur Brahim Diaz shpiku një pasim fantastik për Kylian Mbappé, i cili përballë portierit nuk gaboi dhe vulosi rezultatin përfundimtar 3-1. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco