Një jetë mes klubeve të mëdha dhe sukseseve të përbashkëta, por lidhja mes Ivan Rakitić-it dhe Luka Modrić-it mbetet e fortë dhe e sinqertë. Ish-mesfushori i Sevilla-s, sot drejtues te Hajduk Splitit, foli për “La Gazzetta dello Sport” duke rrëfyer kujtime dhe detaje personale për mikun dhe bashkëkombësin e tij, që po shkruan një kapitull të ri të lavdishëm në futbollin italian. Fjalët e Rakitić-it ofrojnë një pasqyrë të ndershme mbi mënyrën se si Modrić ka përjetuar aventurën e tij të re në Serie A, një hap që befasoi shumëkënd, por që po jep rezultate të prekshme.
Miqësia me Modrić-in dhe prapaskenat e transferimit te Milani
“Folëm dje, Luka është shumë i lumtur,” – tregoi Rakitić. Ai zbuloi se Modrić ndihet tashmë si në shtëpi në Milano, me një jetë të qetë dhe një ambient perfekt për familjen e tij.
“Më ftoi në Milano, më tha se futbolli është shumë ndryshe nga Spanja, por po e shijon shumë. Është i lumtur me shokët e skuadrës dhe me jetën në Itali.”
Rakitić theksoi edhe një detaj të rëndësishëm:
“Për gjithçka Luka duhet të falënderojë Igli Taren, ishte ai që e solli te Milani. Mendoja se do ta mbyllte karrierën te Real Madridi, por tani që e shoh në Milano më bën shumë të lumtur. Do të festoj çdo fitore të tij, personale apo të skuadrës, si të ishte imja.”

Vlerësimi për Modrić-in dhe pritshmëritë për Milanin e Allegri-t
Rakitić kujtoi edhe takimin e parë me Modrić-in:
“Më 1 mars 2006, në një miqësore Kroaci–Argjentinë në Bazel. Unë luaja për Bazelin dhe po mendoja të ndryshoja federatë. Luka atë ditë debutoi me Kroacinë – më thoshin: ‘Shiko, mund të luash me të!’”.
Sa i përket së tashmes, ai shprehu bindjen se Milani i Allegrit mund të shkojë deri te titulli:
“A mund të fitojë menjëherë skudeton? Po, është e mundur, por gjithçka do të vendoset në mars. Mua më pëlqejnë skuadrat që rriten gjatë sezonit. Me një trajner si Allegri, që ka fituar gjithçka, mund ta arrijnë.”
Fjalë respekti dhe miqësie për një kampion si Modrić dhe për një Milan që, nën drejtimin e Allegrit, synon t’u rikthehet majave të futbollit italian dhe evropian, i udhëhequr tashmë nga përvoja dhe klasa e mesfushorit kroat.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: