Ish-gjyqtari i ligave angleze të futbollit (EFL), Gareth Viccars, nga Milton Keynes, është dënuar me 13 vjet e gjysmë burg për 16 akuza të abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve. Gjykata “Snaresbrook Crown Court” në Londër dha vendimin më 2 tetor, ndërsa Viccars do të qëndrojë edhe 3 vite e gjysmë nën mbikëqyrje pas lirimit dhe është vendosur përjetësisht në regjistrin e abuzuesve seksualë.
Hetimet zbuluan se veprat janë kryer ndaj tri viktimave midis nëntorit 2021 dhe tetorit 2024, periudhë kur ai punonte si asistent gjyqtar. Organi zyrtar i gjyqtarëve profesionistë në Angli (PGMOL) deklaroi se Viccars u pezullua menjëherë sapo u bënë publike akuzat.
Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, hetimet kanë qenë të gjera dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me forcat e Northamptonshire dhe Cambridgeshire. Shefi i hetimeve, Detektivi Ross Morrell, e quajti sjelljen e Viccars “tronditëse”, duke theksuar se ai përdorte gënjeshtra dhe manipulim për të fituar besimin e vajzave të reja dhe më pas për t’i abuzuar seksualisht.
Policia dyshon se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh, ndoshta qindra vajza, pasi Viccars përdorte emra të rremë dhe ndryshonte shpesh llogaritë e rrjeteve sociale, duke ndjekur të njëjtin model mashtrues.
Autoritetet i bëjnë apel çdo personi që mund të jetë viktimë ose të ketë informacion të kontaktojë policinë, duke theksuar se viktimat kanë të drejtë të marrin mbështetje dhe ndihmë të specializuar nga policia dhe organizatat e pavarura.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: