Edhe në moshën 40-vjeçare, Luka Modrić vazhdon të tregojë se është një nga mesfushorët më të mëdhenj që futbolli ka njohur ndonjëherë. Në përballjen Milan–Napoli, kroati gaboi vetëm një pasim, ndërsa pjesa tjetër e lojës së tij ishte një koncert i vërtetë teknik dhe mendor.
Modrić luan me një pasion të pastër, të ngjashëm me entuziazmin e një fëmije që zbret në oborr për të ndjekur topin. Ai është një artist i fushës, në gjendje të dhurojë emocione të rralla me vizionin dhe inteligjencën e tij. Shkëlqimi i tij nuk qëndron vetëm te teknika e rafinuar - pasimet, lëvizjet e trupit, goditjet e jashtme të sferës – por mbi të gjitha te aftësia për të marrë gjithmonë vendimin e duhur në momentin e duhur.
Massimiliano Allegri e ka vendosur përpara mbrojtjes, duke i dhënë lirinë që i duhet për të organizuar lojën dhe për të ndikuar në çdo aksion. Shembulli më i qartë ishte goli vendimtar ndaj Bolonjës: vizioni, lëvizja në hapësirë dhe finalizimi i saktë treguan pse Modrić mbetet unik.
Përveç pjesës ofensive, ai impresionon edhe në mbrojtje, duke lexuar aksionet e kundërshtarit dhe duke ndërprerë manovrat me një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Lëvizjet horizontale, bashkëpunimi me shokët e skuadrës dhe ndjenja taktike e bëjnë një lojtar të plotë.
Modrić është prova e gjallë se mosha është vetëm një numër. Gjeniu, kur bashkohet me pasionin dhe disiplinën, arrin të sfidojë çdo kufi. Dhe kroati, edhe sot, është ndër më të mëdhenjtë e historisë së futbollit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: