Në sallën e mbushur përplot të ‘Ortalyq Stadium’ në Almaty-t, mes dhjetëra gazetarëve spanjollë që kishin udhëtuar për të ndjekur sfidën e Champions League të Real Madridit dhe kolegëve vendas që po dokumentonin një vizitë historike, u shfaq një fytyrë e njohur e futbollit evropian: Andrei Arshavin.
Ish-‘ylli’ i Arsenalit dhe i kombëtares ruse, i njohur për shpejtësinë dhe teknikën e tij, ishte i pranishëm për të ndjekur nga afër ndeshjen e madhe që çoi kampionët e Evropës në Kazakistan. Prania e tij nuk kaloi pa u vënë re, duke ngjallur kureshtjen e medieve dhe tifozëve të shumtë që mbushën tribunën e gazetarëve.
Arshavin, i cili gjatë karrierës së tij la gjurmë në Premier League dhe në arenën ndërkombëtare, është sot një figurë e respektuar në futbollin post-sovjetik. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje ishte një rikthim simbolik në dritat e reflektorëve, në një mbrëmje ku futbolli kazak ka mundësinë të përjetojë një moment unik përballë një gjiganti si Real Madrid.
“Shpresoj që të fitojë Kairati. Çdo humbje e Real Madridit është si balsam për zemrën time”, tha ai për Agjencinë EFE.
Arshavin nuk ka dashur asnjëherë të luajë për Real Madridin. Në 2011, kur ishte pjesë e Arsenalit, u përhap një thashethem për një ofertë nga madrilenët, por ai e hodhi poshtë menjëherë: “Nuk do të luaja në Madrid as për gjithë paratë e botës”. Ai argumentoi vendimin e tij: “Për mua, Real Madrid është tabù total. Jam admirues i Barcelonës prej shumë vitesh.”
Përtej futbollit, Arshavin ka bërë deklarata të forta dhe të diskutueshme për jetën personale dhe stilin e tij. Në librin e tij ‘555 Pyetje dhe Përgjigje mbi Gratë, Paratë, Politikanët dhe Futbollin’, ai ka dhënë mendimin e tij për modelet dhe preferencat personale, duke bërë gjithmonë bujë me qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe kontraverse.
Prania e tij në Almaty ishte një rikthim i spikatur në skenë dhe një kujtesë për tifozët se zemra e Arshavinit do të mbetet gjithmonë “blaugrana”, larg “galaktikëve” madrilenë.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: