Milan vijon rrugëtimin në ‘Coppa Italia’ me një paraqitje bindëse në “San Siro”. Pas eliminimit të Barit në turin e mëparshëm, kuqezinjtë e Massimiliano Allegrit mposhtën me rezultat të pastër 3-0 Lecce-n, duke siguruar kualifikimin për në 1/8-tat, ku i pret Lazio.
Ndeshja mori kthesë pas minutës së 18-të, kur Siebert i miqve u ndëshkua me karton të kuq. Vetëm dy minuta më pas, në minutën e 20-të, Gimenez shfrytëzoi një rast nga afër për të zhbllokuar sfidën, ndërsa një devijim i Rabiot u ndal vetëm nga traversa.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë kontrolluan lojën dhe vazhduan të krijonin raste. Nkunku realizoi një gol spektakolar me një gjysmë roveshatë në minutën e 51-të, duke dyfishuar avantazhin. Më pas, në minutën e 64-t, Pulisic me një depërtim të shpejtë vulosi fitoren 3-0.
Milani jo vetëm që tregoi forcë e qartësi në lojë, por dha edhe një mesazh të qartë për rivalët: në këtë edicion të Kupës së Italisë, skuadra synon të shkojë sa më larg.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: