Franca po luan me Senegalin sfidën e vlefshme për Grupin I të Botërorit 2026 në “MetLife Stadium” të New Jersey-t, shkruan Syri.net.
Të dy ekipet po zhvillojnë një përballje të fortë në ndeshjen hapëse të tyre në Kupën e Botës 2026, me pjesën e parë që ka përfunduar me rezultatin 0-0.
“Gjelat” e Didier Deschamps kanë pasur më shumë kontroll të topit dhe kanë kërkuar vazhdimisht hapësira për të aktivizuar Kylian Mbappen, Ousmane Dembelen dhe sulmuesit e tjerë, por mbrojtja senegaleze ka qëndruar e organizuar.
Rasti më i madh i pjesës së parë i takoi Senegalit. Në minutën e 25-të, Nicolas Jackson mori një top brenda zonës dhe goditi fort drejt portës, por topi u përplas në shtyllë duke i mohuar afrikanëve golin e avantazhit.
Franca u përpoq të reagojë me aksione nga krahët. Ousmane Dembele pati një goditje të bllokuar nga mbrojtja, ndërsa Kylian Mbappe kërkoi të krijojë rrezik me shpejtësinë e tij, por pa arritur të finalizojë.
Senegali gjithashtu krijoi disa dalje të rrezikshme në sulm. Ismaila Sarr dhe Sadio Mane tentuan të shqetësojnë mbrojtjen franceze, ndërsa portieri i Francës nuk u vu në shumë vështirësi.
Pjesa e parë pati edhe një ndërprerje për shkak të një dëmtimi të Ismaila Sarr, ndërsa gjyqtari Alireza Faghani akordoi 6 minuta shtesë.
Gjithçka mbetet e hapur për pjesën e dytë, ku Franca kërkon të justifikojë statusin e favoritit, ndërsa Senegali synon të përsërisë historinë e vitit 2002, kur mposhti francezët në ndeshjen hapëse të Botërorit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: