Kupa e Botës 2026 nuk ka nisur vetëm me emocione në fushë, por edhe me një spektakël jashtë saj.
Të gjithë futbollistët pjesëmarrës në turne kanë realizuar portretet zyrtare të FIFA-s, duke sjellë imazhe të veçanta të yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror.
Plot 1,248 lojtarë nga 48 kombëtare kanë kaluar para kamerave në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, ndërsa disa prej fotografive kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve.
Në qendër të këtij koleksioni janë dy legjendat që po luajnë Botërorin e tyre të fundit: Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Kapiteni i Argjentinës dhe ylli i Portugalisë kanë marrë një vëmendje të veçantë, teksa përgatiten për një tjetër kapitull historik në karrierat e tyre.
Por jo vetëm ata kanë spikatur. Erling Haaland është shfaqur me një portret karakteristik, ndërsa Kylian Mbappe, Vinicius Junior, Lamine Yamal, Harry Kane dhe Jamal Musiala kanë sjellë imazhe që pasqyrojnë brezin e ri të yjeve të futbollit.
Edhe emra si Mohamed Salah, Son Heung-min dhe Christian Pulisic janë pjesë e galerisë së veçantë të FIFA-s, që dokumenton figurat kryesore të këtij turneu.
Botërori 2026 pritet të jetë një nga edicionet më të mëdha në histori, jo vetëm për shkak të numrit rekord prej 48 kombëtareve pjesëmarrëse, por edhe sepse mund të shënojë fundin e një epoke për disa prej lojtarëve më të mëdhenj që ka njohur futbolli.
Portretet zyrtare janë tashmë një pjesë e traditës së Kupës së Botës, duke ruajtur një moment unik të çdo lojtari përpara se historia të shkruhet në fushë.
© SYRI.net