Barcelona nuk do të kthehet në “Camp Nou” të dielën, pasi Këshilli i Qytetit nuk i ka dhënë klubit licencën për të rihapur stadiumin.
Gjigantët katalanas po përpiqen të rikthehen në “Spotify Camp Nou” me një kapacitet prej 27,000 vendesh, ndërkohë që vazhdojnë punimet e rinovimit të stadiumit të tyre.
Presidenti Joan Laporta dhe Nënkryetarja Institucionale Elena Fort kishin shprehur shpresën për marrjen e licencës të martën, por ato shpresa dolën të kota.
Sipas “Sport”, Këshilli nuk ua ka dhënë lejen për arsye sigurie.
Zëvendëskryetarja Laia Bonet shpjegoi për gazetën katalanase se, megjithëse përfundimi i fazës së parë është pranë, nuk janë marrë masat e mjaftueshme për rihapjen e stadiumit:
“Jemi në fund të fazës së parë, që do të kulmojë me procesin e licencimit, por duhet të sigurohemi që të gjitha kushtet e sigurisë të plotësohen”.
Bonet theksoi se nuk është detyra e tyre të japin afate ose data.
“Ne ndajmë dëshirën e Barçës për një rikthim të suksesshëm dhe të shpejtë. Por ky Këshill Qyteti duhet të garantojë sigurinë e tifozëve. Ky është prioriteti ynë. Duhet të sigurohemi që teknicienët të punojnë me rigorozitet”.
Pas konfirmimit të Këshillit se stadiumi nuk mund të hapet, Barcelona njoftoi se ndeshja e tyre e radhës do të zhvillohet në “Estadi Olímpic Lluís Companys” në Montjuic.
Blaugranat do të përballen me Real Sociedad të dielën në mbrëmje, ndërsa UEFA kishte konfirmuar tashmë se ndeshja e tyre e Ligës së Kampionëve më 1 tetor ndaj Paris Saint-Germain do të zhvillohet gjithashtu atje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: