Teun Koopmeiners po kalon një periudhë delikate te Juventusi. I transferuar verën e kaluar me shumë pritshmëri, mesfushori holandez nuk ka arritur të përshtatet dhe as të tregojë nivelin që e bëri një nga lojtarët më të kërkuar në Serie A. Edhe ndaj Veronës, paraqitja e tij la për të dëshiruar, duke shtuar dilemat mbi të ardhmen e tij te “Zonja e Vjetër”.
Sipas ‘Corriere dello Sport’, Koopmeiners duket sikur ka humbur vetëbesimin që e karakterizonte dhe që e shndërroi në një pikë referimi për Kombëtaren e Holandës. Tani, në Torino, gjithçka duket më e komplikuar.
Trajneri Igor Tudor ka tentuar disa zgjidhje për ta rikthyer në formë, duke e provuar në tri role të ndryshme: si trekuartist pas sulmuesve, si ‘mezz’ala’ në mesfushë dhe si ‘median’ para mbrojtjes. Megjithatë, në asnjërin prej këtyre pozicioneve ai nuk ka arritur të bindë, duke e lënë trajnerin dhe klubin në një situatë të vështirë.
Presioni është i madh, sidomos për faktin që Juventusi investoi 60.7 milionë euro për ta marrë. Për momentin, Koopmeiners ka humbur hierarkinë në mesin e fushës, ku Locatelli dhe Thuram janë të paprekshëm në formacion.
Për ta kthyer situatën në favorin e tij, holandezit i nevojitet një moment kthese, një ndeshje që t’i rikthejë vetëbesimin dhe t’i japë fund krizës. Deri atëherë, mbetet “enigmë” në Torino.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: