Leao: Po më shisnin tek Interi, por telefonata e Maldinit...

Leao: Po më shisnin tek Interi, por telefonata e Maldinit...

09:49, 23/09/2025

Rafael Leao, ‘yll’ portugez i Milanit, ka zbuluar një prapaskenë të veçantë gjatë pjesëmarrjes në podcast-in “Say Less”. Sulmuesi rrëfeu se në momentet vendimtare të karrierës së tij ka qenë gati t’i bashkohej Interit, por një telefonatë e Paolo Maldinit i ndryshoi fatin.

“Drejtori sportiv i Lille më tha: ‘Rafa, jemi gati të të shesim te Interi’. Unë i thashë jo, sepse kisha bërë një sezon shumë të mirë dhe doja të qëndroja edhe një vit për t’u rritur më shumë. Ai këmbëngulte, sepse oferta ishte e madhe. Pas disa javësh më tha se Milani ishte i interesuar. Iu përgjigja: ‘Po, për Milanin jam gati’. Dy ditë më pas mora një video-telefonatë nga Paolo Maldini. Ai më tha: ‘Duhet të vish, jemi gati të të marrim’. Nuk mund t’i thosha jo,” – kujtoi Leao.

Pse Milani dhe jo Interi

“Që fëmijë jam rritur duke parë Ronaldinho-n, Kakà-në, Seedorfin, Ronaldon… Ishin legjenda të Milanit. Pastaj, 7 Champions League, vetëm Real Madridi ka më shumë. Ndërmjet Milanit dhe Interit, unë zgjedh Milanin 100 herë.”

Përjetimet në Milano

Leao kujtoi emocionet e para në ‘San Siro’: “Kur luajta ndeshjen e parë në shtëpi, ishte e pabesueshme. Stadiumi plot, një atmosferë që më la pa fjalë. E njëjta ndjesi kur fituam kampionatin, është diçka që çdo lojtar duhet ta përjetojë për ta kuptuar madhështinë e Milanit.”

Për derbin e Milanos

“Derbi është gjithmonë i veçantë. Rrugët bllokohen, tifozët krijojnë një atmosferë unike. Mund të kesh bërë ndeshje të dobëta para derbit, por në atë javë duhet të jesh i përqendruar maksimalisht, sepse është gjithmonë ‘ne ose ata’.”

Të qenët pjesë e historisë së klubit

“Kam përgjegjësinë të jap maksimumin dhe të lë gjurmë. Nuk kam ardhur këtu thjesht për të qenë pjesë e Milanit, por që njerëzit të kujtojnë çfarë kam dhënë. Jam krenar për rrugëtimin tim dhe dua të vazhdoj edhe më fort,” – përfundoi Leao.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco