Sonte, në Paris, do të zbulohet më në fund fituesi i Topit të Artë 2025, një nga çmimet më të rëndësishme individuale në botën e futbollit. Pretendentët kryesorë janë Ousmane Dembélé, që shkëlqeu me PSG-në gjatë sezonit, dhe Lamine Yamal, ‘ylli’ i ri i Barcelonës.
Ndërkohë, Observatori i Futbollit CIES ka publikuar tashmë renditjen e tij me 100 lojtarët më të mirë në botë, bazuar në analiza statistikore. Vlerësimi është bërë duke marrë parasysh gjashtë fusha të lojës, minutazhin, nivelin sportiv dhe rezultatet e ndeshjeve të zhvilluara.
Sipas CIES, në krye të renditjes qëndron Lamine Yamal, që ka treguar një ndikim konstant dhe vendimtar gjatë vitit. Pas tij renditen Kylian Mbappé dhe Pedri, ndërsa më poshtë vijnë Virgil van Dijk, Michael Olise dhe Mohamed Salah. Vetëm në vendin e shtatë shfaqet Dembélé, i cili gjithsesi mbetet një nga favoritët për trofeun. Në “Top 10” përfshihet edhe shoku i tij i skuadrës, Achraf Hakimi (në vendin e nëntë), ndërsa Vinicius Jr mbyll dhjetëshen.
Edhe pse të dhënat statistikore e shpallin Yamal-in si më të mirin, zgjedhja përfundimtare e Topit të Artë nuk bazohet vetëm tek numrat. Faktorë si ndikimi në ndeshjet vendimtare dhe reputacioni ndërkombëtar do të peshojnë në vendimin final. Për këtë arsye, pavarësisht klasifikimit të CIES, Dembélé mbetet ende kandidati kryesor, me sytë e të gjithëve të drejtuar nga ceremonia e sotme në Paris.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: