Sonte, në Teatrin Châtelet të Parisit, do të zhvillohet ceremonia e shumëpritur e Topit të Artë, ku pritet të spikasë mbi të gjitha Paris Saint-Germain.
“Ylli” francez, Ousmane Dembélé, favorit për të fituar çmimin pas një sezoni të jashtëzakonshëm me tituj dhe statistika mbresëlënëse, do të jetë i pranishëm në event, pavarësisht dëmtimit. Me të do të jenë gjithashtu edhe Doué dhe Joao Neves, që po ashtu janë jashtë fushe për shkak dëmtimesh. Pjesa tjetër e skuadrës do të zbresë në fushë ndaj Olympique Marseille, ndeshje e shtyrë më parë për shkak të motit.
Megjithatë, në kampin parizien nuk ka siguri absolute për fitoren e Dembélé-së. Organizatorët e France Football kanë ruajtur fshehtësinë për të shmangur rrjedhje të emrit të fituesit, siç ndodhi vitin e kaluar me suksesin e Rodrit përballë Viniciusit, që shkaktoi bojkotin e Real Madridit. Madrilenët nuk do të marrin pjesë as këtë herë, ndonëse Mbappé është kandidat për podiumin.
PSG synon një dominim të plotë në këtë edicion: ish-portieri Donnarumma shihet si favorit për Trofeun Yashin, Doué për Trofeun Kopa, ndërsa Luis Enrique për çmimin e trajnuesit më të mirë të vitit. Për më tepër, emra si Hakimi, Nuno Mendes, Vitinha dhe Fabián Ruiz janë në garë për të hyrë në formacionin ideal të vitit.
Një mbrëmje që mund të kurorëzojë Paris Saint-Germain si klubin mbizotërues në futbollin evropian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: