Milinkoviç: Partizani bëri ndeshjen më të mirë, por paguam shtrenjtë mungesën e golave

Milinkoviç: Partizani bëri ndeshjen më të mirë, por paguam shtrenjtë mungesën e golave

21:51, 20/09/2025

Trajneri i Partizanit, Mlladen Milinkoviç, u shpreh i zhgënjyer pas humbjes 0-1 ndaj Elbasanit, duke theksuar se ekipi i tij kishte zhvilluar ndeshjen më të mirë, por nuk kishte marrë rezultat.

“Jam i mërzitur, sepse pavarësisht lojës së mirë, nuk morëm asgjë. Në pushim folëm që të ishim të kujdesshëm, pasi kishim dy lojtarë të ndëshkuar me karton të verdhë. E kuqja vendosi gjithçka. Kishim 2-3 raste të pastra për gol, por nuk shënuam dhe kjo ishte arsyeja kryesore e humbjes,” tha Milinkoviç.

Tekniku serb pranoi se problemi më i madh mbetet efikasiteti në sulm. “Në katër ndeshje kemi shënuar vetëm dy gola. Kjo ka ulur vetëbesimin e lojtarëve, sidomos të sulmuesve. Ne punojmë çdo ditë për ta zgjidhur këtë, por duhet të fillojmë të shënojmë që gjërat të bëhen më të lehta,” u shpreh ai.

Milinkoviç nënvizoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit: “Skuadra që lufton për trofe nuk mund të luajë me ulje-ngritje. Jam i bindur se do të përmirësohemi. Është e vërtetë që kemi disa mungesa për shkak dëmtimesh, por ky nuk është justifikim. Partizani ka grup të gjerë, por kur mungojnë lojtarë të rëndësishëm, ndikon.”

Në fund, trajneri pranoi se skuadrës i mungon edhe pak fat, por theksoi se fati vjen vetëm duke punuar fort dhe duke e merituar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco