Një garë kualifikuese dramatike në Baku, me plot surpriza dhe plot gjashtë flamuj të kuq, rekord absolut në historinë e Formula 1, e cila përfundoi me Max Verstappen qw fiton ‘pole position’. Piloti holandez triumfoi me kohën 1:41.117, duke i rrëmbyer ëndrrën Carlos Sainz-it dhe duke i dhuruar Williams-it një vend historik në vijën e parë.
Sainz u rendit i dyti, vetëm 478 mijtat pas Verstappen-it, ndërsa në rreshtin e dytë do të nisen Liam Lawson (+0.590) dhe Kimi Antonelli (+0.600). Pas tyre, Russell dhe Tsunoda, ndërsa Lando Norris zhgënjeu me vendin e 7-të, duke mos shfrytëzuar rastin pas aksidentit të shokut të skuadrës, Oscar Piastri. Australiani përfundoi i 9-ti, një pozicion para Charles Leclerc, që u përplas me barrierat dhe do të niset i 10-ti.
Ferrari përjetoi një mbrëmje për t’u harruar: Leclerc humbi çdo shpresë për një ‘pole’ të pestë radhazi, ndërsa në Q2 edhe Hamilton dështoi duke mbetur në vendin e 12-të. Problemet me temperaturën e ulët dhe vështirësitë në ngrohjen e gomave i lanë “të kuqtë” larg pritshmërive, pavarësisht formës së mirë në provat e lira.
Rekordi i gjashtë flamujve të kuq e shndërroi këtë garë kualifikuese në një kaos të vërtetë. Albon, Hulkenberg, Bearman dhe Colapinto ishin mes viktimave të pistës së rrëshqitshme, ndërsa shiu në fundin e Q3 i shtoi tension edhe më shumë.
Në fund, Verstappen tregoi qetësi dhe forcë psikologjike, duke marrë një ‘pole’ që vjen si goditje për Ferrarin dhe Leclerc-un, të cilët tashmë do të kenë shumë për të rikuperuar në garën e së dielës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: