Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, ka folur në konferencë për shtypin në prag të derbit të madh të Merseyside ndaj Everton-it, i cili do të zhvillohet nesër, në orën 13:30, në Anfield.
“Çdo ndeshje në Anfield është speciale, por ky derbi është diçka krejtësisht tjetër,” – u shpreh tekniku holandez, duke vlerësuar edhe paraqitjen e Everton-it këtë fillim sezoni. Ai u ndal veçanërisht te Jack Grealish, i cili është shpallur lojtari i muajit gusht në Premier League:
“Evertoni ka bërë disa përforcime të rëndësishme dhe Grealish, një lojtar që dikur vlente 100 milionë sterlina, po bën shumë mirë për ta.”
Slot nuk la pa përmendur edhe ‘yllin’ e tij, Mohamed Salah, i cili deri tani ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar dy asiste në gjashtë ndeshjet e para.
“Çfarë e bën Mo-në special është fakti që edhe kur nuk është në ditën më të mirë, ai përsëri i jep diçka skuadrës. Shumë lojtarë shënojnë vetëm kur luajnë mirë, por ai gjen mënyrën për të kontribuar gjithmonë. Prandaj është kaq i dashur dhe i respektuar nga tifozët,” – tha ai.
Trajneri holandez foli edhe për ndryshimet mes kulturës së tifozërive në Angli dhe në Holandë, duke e cilësuar atmosferën angleze si unike:
“Çfarë më pëlqen këtu është që, pavarësisht rivalitetit të madh, tifozët mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në stadium. Kur shkuam në Newcastle, pashë tifozë me fanella të Liverpool-it në mes të tifozëve vendas dhe nuk kishte asnjë problem. Në Holandë kjo është e pamundur. Në sfida si Ajax–Feyenoord, tifozët mysafirë nuk lejohen më dhe kjo e tregon qartë situatën. Është shumë më bukur kur në stadium ka tifozë nga të dyja palët, dhe shpresoj që Anglia ta ruajë këtë kulturë edhe për shumë vite.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: