Apollo Global Management, një nga gjigantët amerikanë të financës, është në bisedime të avancuara për të blerë shumicën e aksioneve të Atletico Madridit, raportoi ‘Financial Times’. Nëse arrihet, kjo do të ishte lëvizja e parë madhore e kompanisë në futboll, duke e vendosur në mesin e fondeve të mëdha private që po hyjnë fuqishëm në pronësinë e klubeve evropiane.
Sipas burimeve pranë negociatave, Apollo ka nisur bisedime ekskluzive me tre aksionarët kryesorë të Atlético Holdco, shoqëria që zotëron rreth 70% të klubit: administratorin e deleguar Miguel Ángel Gil Marín, presidentin Enrique Cerezo dhe fondin amerikan Ares Management. Paralelisht, ka kontakte edhe me Quantum Pacific, grupi investues i miliarderit izraelit Idan Ofer, i cili zotëron pak mbi 27% të aksioneve. Të gjithë aksionarët kryesorë janë të gatshëm të shesin një pjesë të kuotave, por ende mbeten për t’u përcaktuar çmimi dhe përmasat e marrëveshjes. Klubi, deri më tani, nuk ka bërë komente zyrtare.
Ky hap përkon me krijimin nga Apollo të një fondi prej 5 miliardë dollarësh të dedikuar për investime në sport, duke ndjekur gjurmët e operatorëve të tjerë financiarë. Në vitin 2022, Clearlake Capital bleu Chelsea-n për 2,5 miliardë paundë, RedBird Capital mori Milanin për 1,2 miliard euro, ndërsa Oaktree Capital mori kontrollin e Interit në vitin 2024, pas kolapsit financiar të pronësisë kineze.
Atletico Madrid mbetet një prej forcave kryesore të futbollit spanjoll, i vetmi klub që ka ndërprerë hegjemoninë e Real Madrid dhe Barcelonës që prej vitit 2004. Në vitin 2024, të ardhurat e klubit arritën në 410 milionë euro, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin paraardhës, duke u renditur i 12-ti në listën Deloitte të klubeve më të pasura në botë. Vlera e përgjithshme e klubit vlerësohet rreth 1.9 miliardë euro.
Për Ares Management, një shitje e mundshme do të sillte përfitime të mëdha, pas investimeve që ky fond ka bërë tashmë tek Inter Miami i David Beckham, tek skuadra angleze e kriketit Trent Rockets dhe vetë Chelsea FC.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: