Arrigo Sacchi, një nga figurat më të mëdha të futbollit italian, ka folur për ‘La Gazzetta dello Sport’ në prag të javës së katërt të Serie A, ku spikat derbi i kryeqytetit mes Lazios dhe Romës, që do të luhet të dielën, më 21 shtator, në orarin e drekës.
“Derbi i Romës është diçka unike – theksoi Sacchi – është një ndeshje që jetohet gjatë gjithë vitit dhe rezultati i saj mund të ndikojë në ecurinë e të gjithë sezonit. Nuk është e krahasueshme me derbet e tjera”.
Ish-trajneri i Milanit dha edhe një këshillë për dy trajnerët që do të përballen në këtë sfidë, Maurizio Sarri dhe Gian Piero Gasperini:
“Duhet pasur kujdes në menaxhimin e tensionit dhe emocioneve. Asnjëra nga skuadrat nuk është ende në nivelin që trajnerët duan, ndaj e kuptoj zhgënjimin e tyre pas javës së kaluar. Por janë dy mjeshtra të pankinës dhe me kalimin e kohës lojtarët do të arrijnë të interpretojnë plotësisht futbollin e tyre”.
Sacchi, që e njeh mirë presionin e përballjeve të tilla, ka theksuar se ky derbi nuk është vetëm një sfidë për pikët, por një provë karakteri për të dyja skuadrat dhe për tifozët që e jetojnë atë si një ngjarje historike çdo sezon.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: