Pas tri sezoneve të vështira dhe jo gjithmonë të qëndrueshme tek Interi, Kristjan Asllani ka zgjedhur të rifillojë një kapitull të ri në karrierën e tij te Torino. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare shprehet i lumtur për këtë zgjedhje, duke theksuar se te klubi “granata” ka gjetur besim dhe një projekt që i përshtatet plotësisht.
“Kërkoja një projekt si ky. Këtu të gjithë besojnë tek unë dhe ishte një zgjedhje e lehtë, edhe pse ditët e fundit të merkatos ishin të lodhshme. Kam gjetur një dhomë zhveshjeje të shëndetshme dhe djem të mirë, ndaj jam i bindur se mund të arrijmë gjëra të bukura së bashku. Jam i njohur për goditjet e mia nga distanca dhe ekzekutimin e goditjeve të dënimit, shpresoj të shënoj tre ose katër gola për të ndihmuar skuadrën,” tha Asllani.
Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij, 22-vjeçari kujtoi eksperiencat formuese në karrierë:
“Empoli ishte një hap vendimtar, aty fitova edhe kampionatin Primavera. Pastaj erdhi thirrja e Interit dhe për një tifoz zikaltër si unë ishte e pamundur të thosha jo. Ishte e pabesueshme ta vishja atë fanellë, fituam titullin e dytë historik dhe unë u rrita jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri. Tani dua të jem për të rinjtë e Torinos ajo që Calhanoglu dhe Barella ishin për mua: dy shembuj brenda dhe jashtë fushe.”
Me këtë frymë, Asllani synon jo vetëm të konsolidojë rolin e tij si titullar te Torino, por edhe të bëhet pikë referimi për shokët më të rinj, duke shfrytëzuar përvojën e fituar në një nga klubet më të mëdha të Italisë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: