Në Valencia ka shpërthyer zemërimi pas vendimit zyrtar që sfida e javës së katërt të La Ligës, mes Barcelonës dhe Valencias, të luhet këtë të diel, në orën 21:00, në stadiumin “Johan Cruyff”. Arsyeja është mungesa e kapaciteteve në “Camp Nou” dhe “Montjuic”, të cilat nuk janë të disponueshme për këtë ndeshje.
Vendimi ka shkaktuar polemika të forta, pasi stadiumi “Johan Cruyff” ka vetëm 6 mijë vende, të gjitha të rezervuara për anëtarët e Barcelonës. Kjo do të thotë se tifozët e Valencias nuk do të kenë asnjë mundësi të udhëtojnë dhe të mbështesin skuadrën e tyre në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit.
Sipas të përditshmes ‘SuperDeporte’, situata është e papranueshme: “E turpshme. La Liga lejon një tjetër padrejtësi të Barcelonës. Valencia mbetet pa bileta, një vendim i padrejtë dhe fyes. Barcelona dhe La Liga kanë injoruar jo vetëm klubin e Valencias, por edhe tifozët e tij”.
Për më tepër, Valencia e ka marrë vesh këtë lajm vetëm pesë ditë para ndeshjes, duke mos lënë asnjë hapësirë organizimi për udhëtimin e tifozëve. Për mediet valenciane, ky është një rast tjetër ku Barça ka përfituar nga toleranca e La Ligas, duke shmangur detyrimin për të lënë një kuotë biletash për tifozët kundërshtarë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: