Milani po përjeton një mbrëmje me emocione të përziera në “San Siro”. Rafael Leao, ‘ylli’ portugez i kuqezinjve, i dha avantazhin skuadrës së Massimiliano Allegrit në minutën e 14-të, por vetëm pak çaste më vonë u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi.
Gjithçka ndodhi pikërisht në aksionin e golit: pas një krosimi të saktë nga Tomori, Leao u ngrit në ajër dhe shënoi me një goditje të bukur me kokë. “San Siro” shpërtheu në festë dhe sulmuesi e kremtoi në stilin e tij karakteristik, duke u përqafuar me tifozët. Por gëzimi nuk zgjati shumë. Vetëm një minutë më pas, Leao ndali vrapimin, preku pulpën e djathtë dhe u ul në tokë duke kërkuar ndihmën e stafit mjekësor.
Pas disa minutash trajtimi, u bë e qartë se lojtari nuk mund të vazhdonte. Në minutën e 17-të, ai u zëvendësua nga Gimenez, ndërsa në tribuna dhe te stafi teknik nisi ankthi.
Problemi me pulpën është shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se kampionati nis javën e ardhshme dhe Milani do të përballet me Cremonese-n. Stafi mjekësor do të kryejë ekzaminime shtesë në orët e ardhshme për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e mungesës së mundshme.
Për Allegrin dhe gjithë ambientin kuqezi, dëmtimi i Leaos është një goditje e rëndë, pasi sulmuesi konsiderohet si një nga pikat më të forta dhe vendimtare të skuadrës për objektivat e sezonit. Tashmë, e vetmja fjalë që përshkruan situatën është pritje, me shpresën që lajmet nga testet mjekësore të jenë pozitive.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: