Piloti i Ducati-t, Marc Marquez, është rikthyer të flasë për rivalitetin me legjendën Valentino Rossi, një përplasje që kulmoi me episodin e famshëm në Sepang më 2015, ku u regjistrua “shtytja” e diskutueshme mes tyre. Në një intervistë të dhënë për DAZN, Marquez ka deklaruar se nuk sheh ndonjë pajtim të afërt me “Doktorin”.
“Pajtimi me Rossin? Kur diçka nuk varet vetëm nga ti, nuk mund të thuash: ‘Më intereson’. Njerëzit që kanë diçka për të dhënë janë ata që dua të kem në krah,” u shpreh spanjolli, duke lënë të kuptohet se tensionet me Rossin nuk janë shuar ende.
Marquez ka pranuar se ka pasur momente tensioni edhe me kolegë të tjerë në pistë, si Dani Pedrosa apo Jorge Lorenzo, por i cilëson si pjesë të natyrshme të rivalitetit sportiv:
“Të gjithë rivalët më kanë thënë gjëra të këqija. Kam pasur përplasje me rivalë si Pedrosa, Lorenzo dhe Valentino. Janë kolegë, por mbi të gjitha janë rivalë. Jam më krenar për faktin që edhe kur isha 20 vjeç, nuk u ndikova as nga fjalët, as nga situatat. As në karakter, as në stilin tim të pilotimit.”
Kur vjen puna te Pedrosa dhe Lorenzo, Marquez tregohet më i butë:
“Dani Pedrosa më ka mësuar shumë. Nga të gjithë, kam mësuar më shumë prej tij. Pa dy pengesa si lartësia dhe forca fizike, ai do të kishte fituar më shumë se një titull në MotoGP. Kam tentuar të pilotoj si ai, por me më shumë agresivitet. Ndërsa nga Lorenzo kam marrë këmbënguljen. Dhe nga Valentino mënyrën se si menaxhohej gara.”
Rikthimi i Marquez në temën e ndjeshme të rivalitetit me Rossin tregon se, edhe pas një dekade, plagët e atij konflikti mbeten të hapura, të paktën nga ana e spanjollit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: