Gega: Dua nga të gjithë maksimumin, vetëm kështu vjen kualifikimi

Gega: Dua nga të gjithë maksimumin, vetëm kështu vjen kualifikimi

09:03, 17/07/2025

Skënder Gega, në prag të takimit të kthimit të Ligës së Konferencës ndaj Nõmme Kalju, shprehu besimin për arritjen e kualifikimit, por gjithmonë duke rujtur ekuilibrat në fushë gjatë gjithë ndeshjes.

Si ka qenë gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes?

Keko, duhet ta them, për ne është një mungesë e madhe. Patjetër që kemi lojtarë të tjerë të cilët do ta zëvendësojnë atë, por më vjen keq që ndeshjen e parë në Europë ai u dëmtua është diçka që tashmë s’mund ta kthejmë mbrapa. Pjesa tjetër e skuadrës është e gjitha e shëndetshme. Jemi stërvitur, kemi bërë  analizën e ndeshjes së parë. Jemi me fat sepse ndeshjen e dytë e luajmë në shtëpi, përpara tifozëve tanë, shpresoj dhe besoj se do të bëjmë më të mirën.

Dëmtimi Kekos mund t’ju bëjë të rihyni në merkaton e verës për sulmues?

Edhe shtëpia që ndërtohet nuk mbaron menjëherë, nuk mbaron kurrë. Patjetër që klubi po punon, do të shikojmë edhe këtë ndeshje dhe do vendosim shumë shpejt ku mund të korrigjohemi ku mund të përmirësohemi. Nuk besoj se mendon njeri sot që Partizani nuk ka nevojë për tu përmirësuar, por të gjitha do ti bëjmë me koordinimin e klubit dhe me suportin e presidentit ku mund të përforcohemi. Duhet të jemi të kujdesshëm, ai që do të vijë apo ai që pretendohet të vijë patjetër që do të bëjë diferencën.

 

Sa ju ndihmon ndeshja e parë për ta njohur më mirë kundërshtarin dhe për të marrë kualifikimin?

Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë këtë ekip dhe kur ra shorti jam munduar të marr informacion. Në momentin e parë që kam parë ndeshje të tyre, mendoj se janë një ekip i konsoliduar, luajnë mirë futboll. Por kur ballafaqohesh në fushë e shikon nga afër dhe je më i qartë për kundërshtarin. Ndeshja e parë na ka treguar shumë gjëra dhe kemi mundësi që këtë ndeshje ato gabime që kemi bërë të mos i  përsëritim. Entuziazmi, mbështetja, arma jonë e fortë është grupi. Do të mundohemi të japim të gjithë 100% të fokusuar. Ajo që parashikoj është që çdo njeri nga ne të japë maksimumin. Maksimumi për ne është fitorja, kualifikimi.

Ndeshja mund të shkojë në shtesa. Çfarë i keni kërkuar lojtarëve gjatë kësaj jave?

Gjëra normale siç kërkohet gjithmonë  edhe në kampionat të jesh i fokusuar. Kjo është një ndeshje specifike, duhet të ruajmë balancat. Të kemi entuziazëm, por gjithmonë të mos dalim jashtë detyrave taktike. Kjo për mua është shumë e rëndësishme. Unë kam dëshirë të luaj në sulm edhe me 6 apo 7 sulmues, por duhet t’i llogarisim shumë mirë gjërat. Gjithmonë është një lojë në grup janë 11 veta që duhet të luajnë bashkë në zona të ngushta, por edhe në momente të vështira duhet të bëjnë sakrifica, duhet të jemi të gjithë bashkë. Shpresoj që ta mbyllim brenda 90 minutave. E rëndësishme është që janë të gjithë të shëndetshëm dhe nuk kanë asnjë lloj problemi fizik.

Kemi një grup me moshë të re, mosha mesatare e ekipit është 23 vjeç. Unë nuk kam frikë, një lojtar i ri në moshë që ka parametrat e duhur fizikë, teknië dhe nga ana mentalitetit është i fortë nuk e kam problem për ta aktivizuar. Në fund të fundit, në këtë moshë kemi luajtur të gjithë.

Në Estoni vendosët Sembenen në mesfushë dhe Mehmetin në mbrojte...

Roli i Sembenes, që kur është marrë nga Partizani, është në qendër të mbrojtjes dhe ka pasur ato uljet dhe ngritjet e veta. Në kohën që ai është kthyer në mesfushë, unë si trajner e kam parë të arsyeshme që një lojtar fizik të ishte në mesfushë. Kështu që kjo është arsyeja që ai është vendosur atje dhe në pjesën më të madhe ka bërë mirë, jam i kënaqur.

Mehmeti ndoshta ishte një risi duke menduar edhe elementët e mirë teknikë që ka dhe për mua personalisht qëlloi shumë mirë. Ka luajtur qendërmbrojtës nuk ka bërë gabime dhe 90-minutëshi në Estoni ka qenë shumë domethënës për ne.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco