Kapiteni i Kombëtares portugeze, Cristiano Ronaldo, nuk ishte i pranishëm në ceremonitë mortore të Diogo Jotës dhe André Silvës, me qëllimin për të mos krijuar një presion mediatik mbi familjen e lojtarëve të ndjerë.
Sipas asaj që ka mësuar gazeta ‘A BOLA’, futbollisti i Al Nassr ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit më të afërt të ish-sulmuesit të Liverpooli-t dhe së bashku kanë rënë dakord që kjo të ishte zgjidhja më e përshtatshme.
Mungesa e sulmuesit 40-vjeçar në Gondomar ka shkaktuar debate të shumta në rrjetet sociale, ku disa e kanë kritikuar, duke thënë se roli i tij si lider i dhomës së zhveshjes kërkonte praninë e tij. Megjithatë, ka mbizotëruar arsyeja kryesore: fakti që prania e Ronaldos, si një ‘yll’ me përmasa globale, do të tërhiqte një vëmendje të tepruar, duke e kthyer ceremoninë në një spektakël mediatik në një moment që kërkonte qetësi dhe dinjitet.
Burimet e gazetës pohojnë se Cristiano Ronaldo i ka dhënë familjes garanci se do të jetë gjithmonë pranë tyre dhe ka zhvilluar biseda me prindërit dhe bashkëshorten e Diogo Jota-s, Rute.
Ceremonia ka qenë tepër prekëse dhe emocionuese, me pjesëmarrjen e familjes, miqve të ngushtë dhe lojtarëve të skuadrave të Liverpoolit dhe Penafielit. Shumica e futbollistëve të kombëtares që kishin pasur marrëdhënie më të afërta me Diogo Jota-n ishin të pranishëm, veçanërisht Rúben Neves dhe João Cancelo, të cilët udhëtuan direkt nga Shtetet e Bashkuara pas humbjes së Al Hilal ndaj Fluminenses në çerekfinalen e Botërorit për Klube, të premten në mbrëmje (ora portugeze).
Gjithashtu, trajnerët që e kanë drejtuar Diogo Jota-n te kombëtarja e Portugalisë, Fernando Santos dhe Roberto Martínez, ishin të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: