Bota e futbollit është zhytur në zi pas ndarjes së parakohshme nga jeta të Diogo Jota-s dhe vëllait të tij André, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik rrugor në Spanjë. Mes lotësh, duartrokitjesh dhe një trishtimi të pafund, figura të njohura nga e gjithë bota janë mbledhur në qytetin portugez të Gondomar për t’u dhënë lamtumirën e fundit dy të rinjve që lanë pas një boshllëk të thellë.
Në ceremoninë mortore morën pjesë shumë personalitete të sportit dhe jashtë tij. I pranishëm ishte edhe trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, bashkë me emra të shquar të futbollit portugez si Bernardo Silva dhe Rúben Dias nga Manchester City, si dhe Bruno Fernandes nga Manchester United.

Një ndër momentet më prekëse të mëngjesit ishte mbërritja e skuadrës së Liverpoolit, që u pritën me duartrokitje të fuqishme. Kapiteni Virgil van Dijk dhe Jordan Henderson mbanin në duar një buqetë me lule ku ishin vendosur numrat simbolikë: 20 për Diogo-n dhe 30 për André-në.
Të afërm, miq dhe kolegë i dhanë nderimet e fundit trupave të dy vëllezërve përpara se ata të përcilleshin drejt varrezave.

Pas funeralit, trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, mbajti një fjalim prekës përpara medieve ndërkombëtare. “Do të jenë gjithmonë në zemrat tona,” u shpreh ai. “Dua t’i falënderoj të gjithë për praninë e tyre. Kanë qenë ditë shumë, shumë të trishta, por sot ishte një mundësi për të treguar se André Silva dhe Diogo Jota janë dhe do të mbeten me ne. Ne jemi një familje.”
Një homazh i ndjerë, që e shndërroi Gondomarin në një pikë loti dhe dashurie për dy jetë të humbura, por kurrë të harruara.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: