Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

Telashe të tjera për Tonali, mesfushori akuzohet për bastet edhe nga Federata Angleze

Telashe të tjera për Tonali, mesfushori akuzohet për bastet edhe nga Federata Angleze

17:09, 28/03/2024

Nuk kanë të sosur telashet për Sandro Tonalin. Mesfushori italian është përfshirë në skandalin e basteve edhe në Angli, pas transferimit te Newcastle verën e kaluar, teksa ndaj tij ka ngritur akuza edhe Federata Angleze.

Kjo e fundit ka njoftuar klubin e Newcastle se mesfushori italian është përfshirë në të paktën 50 raste në baste sportive, duke shkelur rregulloren, në periudhën kohore mes 12 gushtit dhe 12 tetorit.

Këto data korrespondojnë me fillimin e kampionatit anglez dhe momentin kur skandali i përfshirjes së Tonalit në baste u bë publik dhe mesfushori u largua nga grumbullimi me Italinë. Praktikisht Tonali ka luajtur rregullisht baste sportive edhe në Angli.

“Sandro Tonali është akuzuar për sjellje të pahijshme në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullave të basteve të FA-së. Mesfushori i Newcastle United pretendohet se ka shkelur rregullin 50 herë duke vendosur baste në ndeshje futbolli midis 12 gushtit 2023 dhe 12 tetorit 2023. Tonali ka afat deri më 5 prill 2024 për t’u përgjigjur mbi akuzat”, thuhet në komunikatën zyrtare të Federatës Angleze.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i klubit të Newcastle, që theksoi mbështetjen e plotë për Tonalin, por edhe për hetimin e Federatës Angleze, teksa në të njëjtën kohë refuzoi të japë më shumë detaje për situatën.

Sandro Tonali u dënua vjeshtën e vitit të kaluar me 10 muaj pezullim nga futbolli i luajtur pikërisht për shkak të përfshirjes në skandalin e basteve, gjatë kohës kur luante me Milanin në Serinë A.

Megjithatë dalja në skenë e të tjera akuzave në Angli, e ka ekspozuar mesfushorin ndaj një tjetër dënimi, që do ta linte edhe më gjatë larg fushave të futbollit.

Nëse gjithçka konfirmohet, atëherë Tonali rrezikon një dënim të ngjashëm me atë të Ivan Toney, me sulmuesin e Brentfordit që qëndroi 8 muaj larg fushave pikërisht për shkak të përfshirjes në bastet sportive.

Sandro Tonali u transferua nga Milani te Newcastle verën e kaluar për shifrën e 70 milionë eurove, megjithatë që atëherë ka luajtur shumë pak me klubin anglez, pikërisht për shkak të pezullimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco