Sfidat e një kampioni shqiptar në Bodybuilding, Marsel Vangjeli rrëfen gjithçka në ‘Kafe Shqeto’

10:34, 19/03/2024

Shqipëria ka një kampion edhe në një sport si Bodybuilding dhe ky është Marsel Vangjeli.

29-vjeçari u shpall kampion në Vjenë të Austrisë, ndërsa objektivi i tij është të marrë pjesë në Mister Olympia, aty ku garojnë 25 më të mirët në Botë.

Gjithçka në karrierën e tij, sukseset dhe objektivat, Marsel Vangjeli e tregon në “Kafe Shqeto” në Syri Tv, në një intervistë me Flavio Qarrin dhe Gent Pjetrin.

“E kam filluar stërvitjen në moshën 13 vjeç, tani jam 29, kam 16 vjet që merrem me bodybuilding, domethënë më shumë se gjysma e jetës stërvitje. E kam shumë pasion, e kam stil jetesë, nuk jetoj dot pa këtë sport”, nis rrëfimin e tij kampioni shqiptar.

“Duhet të mbash dieta shumë të forta kur janë garat, duhet të konsumosh sasi shumë të mëdha ushqimi dhe duhet edhe shumë regjim”, theksoi Marseli, duke vijuar më tej: Kam patur gjithnjë palestrën time, por ka një vit që nuk e kam më. Pas dy javësh do të inauguroj sërish palestrën time të re. Jam stërvitur gjithmonë vetëm, nuk është se kam patur shumë njerëz vërdallë. Jam i martuar dhe kam një vajzë 7 vjeç.

Në fund të vitit të kaluar u shpalla kampion në Vjenë të Austrisë dhe aty ishte kulmi i karrierës sime deri tani, por duhet të shkoj akoma më lart. Tani është ‘Champions League’. Më 2 shtator garova në farë botërore ku kishte sportistë nga e gjithë bota, kampionët e shteteve. Aty vijnë për t’u bërë profesionistë. Unë fitova edhe kategorinë time edhe Over All.

Mendoj se nuk ka njeri më të fortë se unë në stërvitje në Shqipëri, Ballkan dhe ndoshta edhe në Europë.

Image

Tani jam pjesë e IFB Ligës, që është e vetmja ligë zyrtare ndërkombëtare në botë, që të çon në Mister Olympia. Ja vlen të theksojmë se Arnold Schwarzenegger ka 7 mister Olympia.

Tani edhe unë jam pjesë e asaj lige dhe po përgatitem që të debutoj me profesionistët. Kjo është gara më e rëndësishme e karrierës sime, sepse në zemrën dhe në shpirtin tim dua të garoj me profesionistë dhe të fitoj e të kualifikohem për Mister Olympia.

Sapo kam filluar përgatitjet dhe vetëm 3 muaj nga fundi i vitit do të vendosim bashkë me trajnerin për të debutuar me profesionistë. Nëse nuk do të jem gati këtë vit, mund të garoj edhe vitin tjetër, sepse tani e kam të gjithë luksin që të pushoj. Besoj se në ato nivele është shumë e vështirë, sepse janë njerëz që aty shkojnë 25 nga trupat më të mirë në botë nga rreth 8 miliardë njerëz. Llogarit çfarë koeficienti i vogël është që të dalësh në mënyrën më të mirë atje.

Bodybuilding duhet theksuar se është një sport maratonë dhe nuk është sprint. Nuk mund të bëhesh dot trup për një apo dy muaj, ndoshta as për një apo dy vjet. Me kohën kam fituar edhe durimin. Kështu që nuk tundohem nga gjëra të tjera. Më jep shumë adrenalinë kur shkoj në skenë, kur më shohin njerëzit. Gara vjet ishte e madhe, ku kam marrë një feedback që nuk e prisja. Dhe fitova me thënë të drejtën, pasi po të mos kisha fituar, nuk do ta merrja.

Përsa i përket ushqimit, jam një nga ata që ka mbajtur më shumë dietë, prandaj dhe fitova, sepse e kisha çuar në një nivel tjetër trupin tim. Aty ishte kampioni i Anglisë, që ishte 21 kilogramë më shumë se unë dhe sërish e munda.

Në kampionatin shqiptar kam garuar që 19 vjeç në kategorinë junior. Jam shpallur kampion tre vite radhazi. Në vitin 2016 garova në Kampionatin Ballkanik, ku u shpalla kampion Ballkani. U bëra shqiptari i parë në Bodybuilding që fitonte një garë ndërkombëtare. Gara zhvillohej në Serbi dhe vendi i dytë ishte serb. Nuk më lanë as të ngrija flamurin në skenë. Për fat të keq Bodybuildingu në Shqipëri është shumë mbrapa. Ky është sporti më i shtrenjtë në botë dhe unë deri vjet kam investuar të gjitha të ardhurat. Dua të theksoj së nga vjet jeta ime ka ndryshuar, sepse tani kam sponsorë shumë të fuqishëm. Tani jam në ligën më të fortë në botë”.

/ Florian Behlula / Syri.net /

            

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco