Përfundon aventura e Migen Memellit si trajner i Vllaznisë

Përfundon aventura e Migen Memellit si trajner i Vllaznisë

18:08, 29/10/2023

Mbyllet aventura e Migen Memellit te Vllaznia, teksa nga momenti në moment pritet edhe zyrtarizimi i klubit shkodran. Trajneri pogradecar mori drejtimin e kuqebluve në fillim të verës, duke i udhëhequr ata në turin e parë të eliminatoreve të Conference League, si dhe në 10 javë kampionat.

Ndonëse pati mundësinë të ndërtojë vetë skuadrën dhe kohë pafund për të punuar, Memelli nuk arriti të përmbushë pritshmëritë e tij në Shkodër, duke grumbulluar vetëm 12 pikë në 10 javët e para, shumë pak për një skuadër që synon të jetë në katërshen e parë të renditjes.

Vendimtare për shkarkimin e teknikut ka qenë humbja minimale 1-0 në Kukës, ndaj vendasve që luajtën për më shumë se 60 minuta me një lojtar më pak, teksa fill pas takimit, Memelli shfryu edhe ndaj futbollistëve, duke konfirmuar fundin e raportit me ta.

Një raport që për hir të së vërtetës nuk u ndërtua asnjëherë, me teknikun pogradecar që u prit me skepticizëm që në fillim në Shkodër, teksa nuk munguan as përplasjet me disa prej futbollistëve si Hakaj, Çobaj e ndonjë tjetër.

Me largimin e Memellit, Vllaznia bëhet klubi i 7 i Superiores, që ndërron trajnerin brenda 10 javëve të para, një shifër kjo mjaft e lartë, që konfirmon mungesën e projekteve afatgjata dhe serioze.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco