‘Te Milani isha më i miri, nuk e di pse s’më mbajtën’

‘Te Milani isha më i miri, nuk e di pse s’më mbajtën’

22:21, 09/10/2023

Periudha te Milani ka qenë padyshim më e mira për futbollistin maroken Adel Taarabt, megjithatë zgjati shumë pak, vetëm 6 muaj, gjatë të cilave shënoi 4 gola në 14 ndeshje, nga janari në qershor.

Te kuqezinjtë shkoi me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, por në mënyrë të habitshme, drejtuesit e Milanit vendosën të heqin dorë prej tij, teksa edhe vetë Taarabt vijon të jetë i befasuar për atë vendim të më shumë se 9 viteve më parë.

“Te Milani isha lojtari më i mirë, ndonëse në ekip ishin edhe lojtarë si Kaka, Robinho, El Sharawi, Balotelli, etj. Trajner ishte Seedorf dhe po bëja shumë mirë, por më pas klubi vendosi të ndryshojë. I besoi Inzaghit, i cili kishte plane të tjera, ndaj u habita pse nuk më transferuan në verë”, deklaroi marokeni.

Vendimi i kuqezinjve peshoi jo pak në karrierën e marokenit, që pranon se iu deshën shumë kohë të marrë veten nga ai zhgënjim.

“Të them të drejtën, pas largimit nga Milani humba gati një vit të karrierës time. Kisha punuar shumë për të arritur në një klub si kuqezinjtë dhe u zhgënjeva jashtë mase, kur nuk më blenë, edhe pse kisha bërë maksimumin në fushë. Nuk arrija ta kuptoja, ashtu siç nuk e kuptonin shumë tifozë të Milanit. Thuajse kalova në depresion, megjithatë më pas erdhi Benfica, që më priti dhe më ndihmoi të rikthehem në nivelet më të mira”, tha Taarabt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco