Arbitri shqiptar/ Enea Jorgji rrëfen në ‘KAFE SHQETO’ detaje interesante nga debutimi në Champions League

09:57, 21/09/2023

Për herë të parë në histori, një katërshe arbitrash shqiptarë gjykoi një ndeshje të fazës së grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, Champions League.

Enea Jorgji (kryesor) me ndihmësit Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si edhe Florian Lata si arbitër i katërt, drejtuan ndeshjen e Grupit G, Young Boys-Leipzig, që u luajt të martën dhe u mbyll me fitoren 3-1 të gjermanëve.

Image

Në të kaluarën arbitrat shqiptare kanë drejtuar ndeshje ndërkombëtare të niveleve eliminatore apo edhe miqësore ndërkombëtar të rëndësishme, por jo ndeshje të fazës së grupeve të UEFA Champions League.  

Për të treguar detaje nga debutimi historik i gjyqtarëve shqiptarë në fazën e grupeve të Championsit, i ftuar nga gazetari Flavio Qarri në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV ishte kryesori Enea Jorgji.

“Është debutimi im në Champions, por në fakt është debutimi i të gjithë arbitrave shqiptarë, pasi isha bashkë me Denisin (Rexha), Ridigerin (Çokaj) dhe me Florianin (Lata), për të cilët jam shumë krenar, sepse kanë bërë një punë aq të vlerësuar sa edhe e imja”, tha fillimisht Jorgji.

Image

I ngacmuar nga drejtuesi i emisionit, Flavio Qarri, për komentet për një penallti të pa akorduar dhe se ka qenë mjaft i ashpër me kartonët, Jorgji sqaron: “Është pjesë e profesionit dhe komente ka gjithnjë. Në çdo ndeshje ka komente, edhe sikur ajo ndeshje të shkojë ‘fjollë’ fare, do ta gjejnë diçka. Personalisht jam i qetë, jam munduar dhe besoj kam bërë më të mirën në fushë. Edhe për atë vendimmarrje që e cilësuan ishte apo jo penallti, kam menduar dhe vepruar sipas kritereve që na jep UEFA”.

Se si e përgatiti bashkë me asistentët e tij për të gjykuar sfidën e Championsit Young Boys-Leipzig, Jorgji tregon: “U munduam të shohim disa ndeshje të ekipeve përkatëse. Të kuptojmë natyrën e lojtarëve, të kuptojmë taktikën që përdor ekipi. Bëmë një lloj analize. Besoj se na bëri mirë dhe reflektoi me arbitrimin shumë të mirë. Na përgatiti dhe për lojtarin simulues, që pretendoi për penallti. E pashë në VAR dhe interpretimi që bëra ishte shkelja e sulmuesit te portieri dhe kështu nuk mund të kishte penallti”.      

Image

Enea Jorgji është promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA në kategorinë e parë, ndërsa me paraqitjet e tij në Europë, synon që shumë shpejt të arrijë në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që në fakt është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.

/ Florian Behlula / Syri.net /

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco