Shqipëria gati për finalen e madhe, dy dilema për Sylvinhon

Shqipëria gati për finalen e madhe, dy dilema për Sylvinhon

16:30, 10/09/2023

 

Dalja në fushën e “Air Albania”-s teksa ngjisin shkallët, ngjason atë me të gladiatorëve që hyjnë në një arenë luftimi. Një arenë që këtë të diel do të jetë e tejmbushur me 23 mijë shpirtra që do të frymojnë për 11 luanë në fushë. Me një dëshirë me një qëllim, për një fitore ndaj Polonisë. Për të realizuar ëndrrën e madhe, kualifikimin në finalet e Euro 2024.

Shqipëria e futbollit ka zbritur për stërvitjen e fundit në “Air Albania” para ndeshjes me polakët. Të gjithë në formë, të gjithë të përqendruar në një mision të madh. Janë ata heronjtë e një kombi që i mban sytë dhe zemrën nga ta. Një orë stërvitje pa shumë ngarkesa fizike për të ruajtur freskinë dhe energjitë e duhura për mbrëmjen e kësaj të diele.

Sylvinho, këtë herë është krijuar që përveç 15 minutëshit tradicional të lejuar për kamerat, të mos lejojë asnjë sy kureshtar në stërvitje, me formacionin dhe skemat që mbahet top sekret. Për të mos i dhënë pika referimi kundërshtarit në atë që për ne është një finale, megjithatë trajneri brazilian pritet t’i qëndrojë besnik idiomës: skuadra fituese nuk ndryshohet.

Duke propozuar pak a shumë të njëjtët njerëz si në barazimin e para pak ditëve kundër Çekisë. Megjithëse dilemat nuk mungojnë, kryesorja ka të bëjë me balotazhin mes Taulant Seferit dhe Myrto Uzunit në të majtë të sulmit. Me beratasin që niset paksa më i avantazhuar. Edhe pse gjithçka pritet të vendoset zyrtarisht pak para takimit.

Ndërkohë që tenton për një vend mes titullarëve edhe Ivan Balliu, edhe pse gjasat janë që trajneri të ruajë katërshen e mbrojtjes së sfidave të fundit. E rëndësishme është se të gjithë lojtarët janë në formë, dhe klima është ajo e duhura. Diçka që është e lehtë të shihet dhe në sytë e kthjellët të stërvitjes së fundit para ndeshjes me Poloninë. Finales së madhe për Shqipërinë në këto eliminatore.

Është një ndeshje e përgatitur në detaje në të gjitha aspektet, edhe në atë organizativ. Për t’i paraprirë çdo surprize të pakëndshme rrjeta teli janë vendosur pas portave në mënyrë që të evitohet hedhja e sendeve në fushë. Me polakët në “Air Albania” ka kujtime jo të mira.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco